Neda denoncon Ogren Ballukun: Nuk më lejon të takoj fëmijët!
Avokatja ngre akuza për vetëgjyqësi
Një konflikt i ashpër pas divorcit mes Neda Karafilit dhe Ogren Ballukut ka marrë një tjetër zhvillim, pasi avokatja e Karafilit ka bërë publike pretendimet për shkelje të vendimit gjyqësor që rregullon takimet e nënës me fëmijët e saj.
Përmes një letre të dërguar në emisionin televiziv “Goca & Gra”, avokatja Greta Çela ka ngritur akuza për moszbatim të masës së caktuar nga gjykata, duke pretenduar se Neda Karafili vijon të pengohet në ushtrimin e të drejtës për të takuar djemtë e saj.
Sipas përfaqësueses ligjore, pavarësisht se vendimi gjyqësor parashikon zbatimin e menjëhershëm të masës për takimet me fëmijët, ajo nuk po respektohet. Çela e ka cilësuar situatën si një rast të vetëgjyqësisë, ku, sipas saj, vullneti individual po vendoset mbi një vendim të marrë nga gjykata.
Një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë, avokatja ia ka atribuar edhe mënyrës se si është trajtuar çështja nga Shërbimi Përmbarimor. Ajo pretendon se ka pasur anshmëri dhe mosveprim nga ky institucion, duke përmendur edhe rastin e një përmbaruesjeje, e cila, sipas saj, nuk ka dorëzuar dosjen edhe pasi drejtuesi i zyrës kishte vendosur zyrtarisht përjashtimin e saj nga çështja.
Për këtë arsye, Greta Çela bën me dije se është depozituar një kallëzim penal për veprën e dyshuar të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, sipas deklarimit të saj, Ministria e Drejtësisë ka nisur edhe një procedim disiplinor lidhur me çështjen.
Në reagimin e saj, avokatja ka vënë theksin edhe te interesi më i lartë i fëmijëve, duke kërkuar që vendimmarrja dhe trajtimi i konfliktit të mbështeten në prova të besueshme dhe standarde profesionale. Sipas saj, fëmijët nuk duhet të përfshihen në përplasjet mes prindërve dhe as të përdoren si mjet presioni në konfliktin e tyre.
Pas deklaratave të avokates, edhe vetë Neda Karafili ka përcjellë një mesazh emocional, drejtuar Ori Nebiajt, i cili u lexua gjatë transmetimit të emisionit.
Në mesazhin e saj, Karafili falënderoi për mbështetjen dhe shprehu dhimbjen për situatën që po kalon, duke theksuar lidhjen me tre fëmijët e saj dhe dëshirën për të mos u ndarë prej tyre.
“Zoti më ka falur tre drita sysh, nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë”, thuhej ndër të tjera në mesazhin e saj.
Çështja rikthen në vëmendje përplasjen për të drejtat prindërore pas divorcit dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, ndërsa pretendimet e bëra publike nga përfaqësuesja ligjore mbeten për t’u trajtuar nga institucionet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



