Hajdari kandidat i PS-së për Tiranën? Braçe e sfidon: Nuk i trembem!
Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar mundësinë që Arbër Hajdari të jetë një prej emrave në garën për Bashkinë e Tiranës, duke lënë të hapur mundësinë e një përballjeje mes tyre, nëse Partia Socialiste vendos të zhvillojë një proces konkurrues për përzgjedhjen e kandidatit.
I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Braçe u pyet për kandidaturën e përfolur të Hajdarit dhe qëndrimin që do të mbante nëse ky i fundit do të hynte në garë për drejtimin e kryeqytetit.
Socialisti u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë asnjë emër që mund të shfaqë ambicien për këtë post, por këmbënguli se kandidati duhet të dalë nga një garë brenda partisë.
“Në rast se do të ketë garë dhe do të jemi përballë, e mirëpres. Garë për të qenë kandidat. Habibi në Amerikë mundi fillimisht një kandidat brenda partisë së tij. Pyetjen për Arbrin po e lë mënjanë. Dua t’u flas socialistëve në radhë të parë, më pas gjithë qytetarëve të Tiranës. Cilindo që ka një ambicie e shoh si potencial”, deklaroi Braçe.
Deputeti u ndal edhe te raportet brenda Partisë Socialiste, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj përjashtimeve dhe duke argumentuar se secili duhet të jetë i lirë të qëndrojë ose të largohet nga partia.
Gjatë bisedës, Braçe përmendi edhe figura që, sipas tij, do të ishte mirë të riktheheshin në jetën politike të PS-së, duke veçuar shkrimtarin Dritëro Agolli. Ai vlerësoi qëndrimet e pavarura të Agollit, i cili, sipas deputetit, nuk ngurronte të shprehte mendimin e tij edhe kur përballej me kundërshtime.
Në intervistë nuk munguan as çështjet e përditshmërisë. Braçe foli për çmimet në treg, duke treguar se kishte bërë vetë pazarin dhe se një kilogram domate kushtonte 180 lekë. Ai kujtoi gjithashtu diskutimet në grupin parlamentar për nismën ligjore që lidhet me ciklin menstrual, shëndetin seksual dhe riprodhimin, duke zbuluar se propozimi i tij ishte pritur fillimisht me habi nga kolegët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



