E diel, 8 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
SPAK pranon kallëzimin për “Albanian Files”, nis hetimi ndaj resorteve
Lajme

SPAK pranon kallëzimin për “Albanian Files”, nis hetimi ndaj resorteve

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal për projektet turistike të miratuara në territore të mbrojtura, duke vënë në lëvizje hetimet pas një kallëzimi të dorëzuar më 12 gusht 2025 nga një grup ekspertësh dhe protestuesish.

Çështja përfshin disa vepra të dyshuara penale dhe lidhet me vendimmarrjet që kanë mundësuar zhvillimin e projekteve turistike në zona me rëndësi të veçantë mjedisore. Në kallëzim përfshihen kryeministri Edi Rama, funksionarë të tjerë publikë dhe subjekte private të lidhura me projektet në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.

Në qendër të materialit të dorëzuar në SPAK janë dy grupe dokumentesh: “The Albanian Files”, ku janë evidentuar projektet e resorteve turistike në territoret e mbrojtura, dhe “Dosjet e KKT-së”, një bazë të dhënash që përmban 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Kallëzuesit kërkojnë që përgjegjësia penale të shqyrtohet në disa drejtime, duke ngritur dyshime për shpërdorim detyre, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë publikë dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas tyre, projektet nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një skeme që përsëritet në mënyrën se si janë miratuar ndërtime dhe komplekse turistike në territore të mbrojtura. Mekanizmi i pretenduar nis me ndryshime ligjore, vijon me miratimin e instrumenteve të posaçme të planifikimit dhe përfundon me dhënien e lejeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga kryeministri.

Pikërisht ky mekanizëm është një nga aspektet që kallëzuesit kërkojnë të verifikohet nga hetuesit e posaçëm, për të përcaktuar nëse vendimmarrjet institucionale janë përdorur në kundërshtim me ligjin dhe në funksion të interesave të caktuara private.

Kërkesa e tyre është që hetimi të mos ndalet vetëm te tri projektet kryesore, por të përfshijë edhe vendime të tjera të KKT-së dhe raste të ngjashme të zhvillimit turistik në zona me status të mbrojtur.

Megjithatë, regjistrimi i procedimit penal nuk nënkupton se personat e përmendur në kallëzim janë marrë automatikisht si të pandehur apo si persona nën hetim. Deri në këtë fazë, nuk rezulton të ketë persona të regjistruar zyrtarisht me një status të tillë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.