Trondit gazetari holandez: Më ndaluan dhe donin të më lidhnin me Antifa-n
Gazetari dhe shkrimtari holandez Vincent van Gerven Oei ka zbuluar detaje të reja nga shoqërimi i tij në polici gjatë protestës kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë. Sipas tij, brenda ambienteve të komisariatit është diskutuar mundësia e lidhjes së tij me grupimin Antifa, në një përpjekje për të gjetur një arsye që do të justifikonte mbajtjen e tij në polici.
I ftuar në emisionin “Ora 19” në SYRI TV, gazetari, i cili jeton dhe punon në Tiranë, tregoi se efektivët që e ndaluan fillimisht mund të mos kishin informacion mbi arsyet e shoqërimit të tij. Megjithatë, ai pretendon se brenda komisariatit është diskutuar një tjetër version, të cilin e ka mësuar përmes burimeve të tij në Policinë e Shtetit.
Van Gerven Oei tha se një prej hipotezave të ngritura ishte pikërisht lidhja e tij e mundshme me Antifa-n. Ai e cilësoi këtë pretendim si të pabazuar dhe theksoi se diskutimi i një mundësie të tillë tregon, sipas tij, përpjekjet për të gjetur një shkak për ta mbajtur të shoqëruar.
“Ne kemi edhe burime brenda Policisë së Shtetit dhe më kanë treguar se si është diskutuar për ndalimin tim. Për shembull, që unë mund të lidhem me Antifa-n. Kuptoni? Kështu që është patjetër një përrallë. Por është interesante për mua, sepse kjo tregon që ata janë përpjekur në një farë mënyre të gjejnë një arsye për të më mbajtur”, deklaroi gazetari.
Ai shtoi se autoritetet e kishin të qartë identitetin dhe profesionin e tij, pasi e dinin se kishin të bënin me një gazetar dhe shkrimtar. Për këtë arsye, ai dyshon se gjatë qëndrimit në komisariat është tentuar të ndërtohej një justifikim për shoqërimin.
Pesë orë në komisariat, gazetari: Më mbajtën deri në kufirin maksimal
Një tjetër detaj që Van Gerven Oei vuri në dukje ishte kohëzgjatja e qëndrimit në polici. Sipas tij, ai u mbajt për pesë orë, periudha maksimale e lejuar për këtë procedurë.
Gazetari përmendi edhe rastin e një kameramani tjetër, i cili, sipas rrëfimit të tij, u mbajt po për të njëjtën kohë në komisariat.
“Pesë orë është maksimumi, por kishte edhe një djalë tjetër që ishte kameraman dhe ata e mbajtën pesë orë. Domethënë, janë përpjekur ta shfrytëzojnë maksimumin, deri në pesë orë”, u shpreh ai.
Deklaratat e gazetarit holandez shtojnë pikëpyetjet mbi arsyet e shoqërimit të tij gjatë protestës dhe mënyrën se si u trajtuan gazetarët e personat e tjerë të ndaluar gjatë tubimit.
Ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë, rasti i Vincent van Gerven Oei rikthen në vëmendje debatin për lirinë e medias, trajtimin e gazetarëve gjatë tubimeve dhe kufijtë e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



