Viola Haxhiademi largohet nga KESH-i, Algert Luzi merr drejtimin e korporatës
Ristrukturimi i institucioneve në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka sjellë një tjetër ndryshim në drejtimin e një prej kompanive më të rëndësishme publike në vend. Viola Haxhiademi është larguar nga posti i drejtores së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ndërsa në vend të saj është emëruar Algert Luzi.
Lajmi konfirmohet nga burime brenda korporatës, sipas të cilave Luzi pritet të marrë tashmë përgjegjësinë për drejtimin e KESH-it, një prej institucioneve kyçe për administrimin e prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri.
Largimi i Haxhiademit vjen në kuadër të lëvizjeve që po ndodhin në administratën e institucioneve të lidhura me sektorin e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për ristrukturimin e strukturave drejtuese dhe ndryshimet në administratë.
Haxhiademi kishte marrë drejtimin e KESH-it pas largimit të Erald Elezit. Përpara se të emërohej në krye të korporatës, ajo kishte mbajtur funksionin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke qenë pjesë e strukturave të larta drejtuese të këtij dikasteri.
Largimi i saj merr vëmendje të veçantë edhe për shkak të zhvillimeve hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në dosjen e njohur si “Balluku”. Emri i Haxhiademit është përmendur në kuadër të hetimeve që lidhen me sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, çështje që ka vendosur në vëmendje edhe zyrtarë të tjerë të administratës që kanë mbajtur poste të rëndësishme gjatë drejtimit të ministrisë nga Belinda Balluku.
Ndryshimi në krye të KESH-it nuk është i vetmi në këtë sektor. Brenda pak ditësh janë regjistruar edhe largime të tjera në institucione të rëndësishme. Liburn Aliu ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Autoritetit Portual Durrës, ku në vend të tij është emëruar Andrea Shllaku, ndërsa Maksim Et’hemaj ka lënë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Këto zhvillime vijnë në sfondin e kërkesës së kryeministrit Rama për ristrukturimin e administratës, një proces që po prek disa prej institucioneve kryesore në varësi të dikasterit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërsa në Portin e Durrësit dhe KESH janë përcaktuar tashmë emrat e rinj drejtues, në rastin e Aviacionit Civil mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin pas largimit të Et’hemajt.
Për KESH-in, ndërkaq, largimi i Viola Haxhiademit dhe emërimi i Algert Luzit përbëjnë ndryshimin më të fundit në drejtimin e institucionit, në një periudhë kur sektori energjetik është njëkohësisht në qendër të riorganizimit administrativ dhe vëmendjes së hetimeve të SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



