Noizy dëshmon në GJKKO për tritolin në biznes: Kleviol Ahmeti tha se e vendosi Laerti
“Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në karton picash”
Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e këngëtarit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut. I thirrur për të dëshmuar lidhur me shpërthimin me tritol në biznesin e familjes së tij në Durrës, në qershor të vitit 2022, këngëtari ka rrëfyer rrethanat e ngjarjes, konfliktin e mëparshëm me Kleviol Ahmetin dhe pretendimet e tij për personat që qëndronin pas sulmit.
Para prokurorisë, Noizy deklaroi se në momentin e shpërthimit ishte duke fjetur dhe u zgjua nga zhurma e fortë. Ishte babai i tij, Bashkim Rajku, ai që e njoftoi për ngjarjen, ndërsa këngëtari tha se fillimisht nuk kishte dëshiruar të dilte jashtë, pasi kishte frikë se do të shihej nga njerëzit.
“Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”, ka deklaruar këngëtari.
I pyetur nga prokurori për aktivitetin që zhvillohej në objektin e goditur nga eksplozivi, Rajku sqaroi se bëhej fjalë për një biznes të tregtimit të veshjeve, i cili shërbente si burim të ardhurash për familjen.
Noizy: E kam ditur kush e ka vendosur tritolin, Kleviol Ahmeti tha se ishte Laerti
Pjesa më e rëndësishme e dëshmisë lidhej me dyshimet e këngëtarit për autorësinë dhe motivet e shpërthimit. Noizy pretendoi se kishte mësuar se kush qëndronte pas ngjarjes përmes deklarimeve publike të Kleviol Ahmetit, i cili, sipas tij, kishte pohuar në rrjetet sociale se tritoli ishte vendosur me porosi të Laert Haxhiut.
Këngëtari zbuloi gjithashtu se, sipas tij, rreth dy muaj përpara dëshmisë ishte përballur me një tjetër episod të dyshimtë, ku i ishte lënë një sasi eksplozivi brenda një kartoni picash. Ai tha se policia kishte konstatuar fitilin e papërfunduar të lëndës plasëse dhe pretendoi se të dyja rastet kishin të njëjtën dorë.
“E kam ditur kush e ka bërë. Ka dalë vetë personi, Kleviol Ahmeti, e ka thënë që e ka vënë Laerti për mua. Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në një karton pice. Policia e pa fitilin e pandezur. Është e njëjta dorë. E kam sqaruar mbi 20 herë se përse e ka bërë”, deklaroi Noizy.
Më tej, ai u ndal te përplasja fizike që, sipas tij, kishte ndodhur një natë përpara shpërthimit në ambientet e lokalit. Këngëtari pretendoi se Kleviol Ahmeti ishte paraqitur aty i shoqëruar nga rreth 20 persona, me pretendimin për të sqaruar konfliktin mes tyre, por situata kishte degraduar në përplasje fizike.
Sipas versionit të dhënë prej tij në gjykatë, Ahmeti kishte ofenduar fillimisht stafin dhe më pas edhe vetë këngëtarin. Noizy pretendoi se pas këtij episodi, gjatë po asaj nate, biznesi ishte goditur me dinamit.
Ai përmendi gjithashtu një reagim të Ahmetit në TikTok, ku ky i fundit kishte ironizuar situatën pas shpërthimit, duke iu referuar asaj si bubullima në Durrës.
Noizy: Laert Haxhiun nuk e njoh, për djegien e makinës ka një tjetër proces gjyqësor
Gjatë pyetjeve të prokurorit, këngëtari u pyet nëse kishte njohje personale me Laert Haxhiun. Ai u përgjigj se nuk e njihte dhe se kishte mësuar për të vetëm pas ngjarjes, ndërsa theksoi se nuk kishte dijeni të drejtpërdrejtë se kush e kishte vendosur lëndën plasëse.
Noizy iu referua sërish deklarimeve që, sipas tij, Kleviol Ahmeti kishte bërë në TikTok, duke shtuar se mes tyre ekzistonte edhe një proces tjetër gjyqësor, që lidhej me djegien e automjetit të tij.
“Prokurori: E njihni Laert Haxhiun?
Noizy: Nuk e njoh, vetëm pas rastit. Nuk e di kush ishte personi që e vuri lëndën plasëse. E tregoi vetë Klevioli në TikTok, ka një gjyq të hapur se më ka djegur dhe makinën. Personi që e ka djegur e ka pranuar që ka marrë 600 euro.”
Në vijim, gjykata e pyeti këngëtarin se ku i kishte marrë informacionet për Kleviol Ahmetin dhe çfarë motivi mund të kishte pasur ky konflikt. Noizy u përgjigj se deklarimet ishin bërë publike brenda 24 orëve nga ngjarja, ndërsa shkakun e përplasjes e lidhi me fyerjet që, sipas tij, Ahmeti i kishte drejtuar prej vitit 2019.
“Gjykata: Informacionet për Kleviol Ahmetin ku i patë? Po motivi?
Noizy: Brenda 24 orëve vetë personi i tha në rrjetet sociale. Motivin e doni troç? Erdhi për t’u sqaruar, prej vitit 2019 më shan me nënë e me babë, e bën për famë.”
Në një moment të seancës, avokati e pyeti nëse mendonte se personat që e ofendonin fitonin famë duke e sulmuar atë. Këngëtari u përgjigj se, sipas tij, kjo ishte pikërisht ajo që ndodhte, përpara se të ngrinte edhe një pyetje për nevojën e paraqitjes së tij të mëtejshme në gjykatë.
“Avokati: Mendoni se kush ju shan juve merr famë?
Noizy: Nuk e mendoj, merr shumë famë. Dhe një pyetje: A është nevoja të vij më të dëshmoj?”
Dëshmia e Rigels Rajkut sjell një tjetër version mbi rrethanat e shpërthimit në biznesin e familjes së tij dhe konfliktet që, sipas pretendimeve të këngëtarit, i paraprinë ngjarjes. Deklarimet për rolin e Kleviol Ahmetit dhe përfshirjen e pretenduar të Laert Haxhiut janë pjesë e dëshmisë së dhënë në gjykatë dhe duhen vlerësuar në kuadër të procesit gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



