E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Studentët rikthehen sot para Ministrisë së Arsimit, tubimi nis në orën 14:00
Lajme

Studentët rikthehen sot para Ministrisë së Arsimit, tubimi nis në orën 14:00

Studentët rikthehen këtë të shtunë në protestë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në ditën e 168 të mobilizimit kundër qeverisë së Edi Ramës. Tubimi është njoftuar të nisë në orën 14:00, ndërsa protestuesit synojnë të mbajnë gjallë presionin ndaj mazhorancës përmes organizimit të vazhdueshëm në kryeqytet.

Pas më shumë se pesë muajsh protestash, lëvizja ka ndryshuar mënyrën e organizimit, duke vendosur që tubimet kombëtare të zhvillohen dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë. Kjo strategji synon të ruajë mobilizimin dhe të zgjerojë mbështetjen për kauzën e protestuesve.

Ajo që nisi si një lëvizje me kërkesa për përmirësimin e kushteve në universitete, cilësinë e arsimit dhe më shumë mundësi për të rinjtë, mori një dimension më të gjerë politik gjatë muajit tetor. Përfshirja e studentëve dhe përshkallëzimi i tubimeve e zhvendosën fokusin drejt kërkesës për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Përplasjet e 13 tetorit shënuan një tjetër moment të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje, ndërsa studentët e shpallën dorëheqjen e kreut të qeverisë si kusht të panegociueshëm. Ata kanë refuzuar deri më tani ofertat për dialog nga mazhoranca, duke këmbëngulur se nuk do të pranojnë zgjidhje që nuk përfshijnë largimin e Ramës.

Gjatë tubimeve në Tiranë, protestuesit kanë përsëritur slogane si “Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Studentët kërkojnë revolucion” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Paralelisht me protestat në rrugë, një pjesë e studentëve kanë vijuar bojkotin e procesit mësimor. Lëvizja ka marrë mbështetje edhe nga pedagogë, prindër dhe qytetarë në qytete të ndryshme, megjithëse në disa universitete zhvillimi i mësimit është rikthyer në normalitet.

Organizatorët u kanë bërë sërish thirrje studentëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të sotëm, duke paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të zhvilluar dialog me studentët. Megjithatë, kjo ofertë nuk ka sjellë ndryshim në qëndrimin e protestuesve, të cilët e konsiderojnë largimin e tij si objektivin kryesor të lëvizjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.