“Po trillon”! Rama shpërthen ndaj Veliajt në Asamblenë e PS
Edi Rama ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave të Erion Veliajt, i cili pretendoi se ishte kërcënuar në emër të kryeministrit përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të shtunë në Gjirin e Lalëzit, kreu i qeverisë ka mohuar pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të sajuara.
“Nuk janë të vërteta bisedat e pretenduara të Veliajt me ministrin Gogu, janë të sajuara”, mësohet të jetë shprehur Rama përpara anëtarëve të Asamblesë.
Reagimi i kryeministrit vjen pas deklarimeve të Veliajt, i cili pas transferimit në paraburgimin e Fierit pretendoi se ishte takuar nga ministri Toni Gogu, që i kishte përcjellë disa kërkesa në emër të Ramës.
Sipas versionit të kryebashkiakut, atij i ishte kërkuar të dorëzonte drejtimin e Bashkisë së Tiranës, të ndërpriste bashkëpunimin me avokatin Plarent Ndreca dhe të pranonte përfshirjen në organizimin apo financimin e protestave kundër qeverisë.
Veliaj pretendoi gjithashtu se, në rast se nuk do t’u bindej këtyre kërkesave, do t’i rëndohej pozita penale dhe do t’i përkeqësoheshin kushtet e paraburgimit.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka mohuar akuzat, duke hedhur poshtë pretendimet se i ka përcjellë Veliajt kërcënime apo ultimatume në emër të kryeministrit.
Përplasja politike mes Ramës dhe Veliajt
Përplasja mes kryeministrit dhe kryebashkiakut ka kaluar tashmë edhe në planin politik brenda Partisë Socialiste. Nga paraburgimi në Fier, Veliaj i ka dërguar një letër Asamblesë Kombëtare, ku ka kritikuar mënyrën e drejtimit të partisë dhe ka kërkuar nisjen e procedurës për një mocion mosbesimi ndaj Ramës si kryetar i PS-së.
Megjithatë, pavarësisht akuzave dhe kritikave të Veliajt, kryeministri nuk ka kërkuar përjashtimin e tij nga partia. Gjatë mbledhjes së Asamblesë, Rama mësohet të jetë shprehur se ndaj kryebashkiakut nuk duhet të merret një masë e tillë, për shkak të situatës në të cilën ndodhet.
“Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura”, mësohet të ketë deklaruar kryeministri.
Kështu, ndërsa Rama mohon akuzat për kërcënime të përcjella përmes ministrit të Drejtësisë, përplasja me Veliajn vijon të thellojë tensionet brenda Partisë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



