Ndërron jetë 72-vjeçari që u dhunua nga djali i tij
Një ngjarje e rëndë familjare në fshatin Rrushkull të Durrësit ka përfunduar me pasoja fatale. 72-vjeçari, i cili u dhunua brutalisht nga djali i tij 37-vjeçar, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merrte trajtim mjekësor për dëmtimet e rënda që kishte pësuar.
Ngjarja ndodhi më 6 nëntor, kur 37-vjeçari, i identifikuar me inicialet E. K., dyshohet se sulmoi fizikisht të dy prindërit e tij, duke i goditur me sende të forta përpara banesës ku ata jetonin.
Si pasojë e dhunës, babai 72-vjeç dhe nëna 69-vjeçe pësuan dëmtime trupore. Gjendja e të moshuarit ishte veçanërisht e rëndë, pasi kishte marrë goditje në kokë. Fillimisht, të dy të lënduarit u dërguan për ndihmë mjekësore, ndërsa për shkak të dëmtimeve serioze, 72-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, ku iu nënshtrua trajtimit të specializuar.
Ndërkohë, 69-vjeçarja u dërgua në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku, sipas të dhënave paraprake, ndodhej në gjendje të stabilizuar.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe trajtimit të marrë në spital, 72-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka humbur jetën, duke e rënduar edhe më tej bilancin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Pas incidentit, 37-vjeçari u shoqërua në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e konfliktit që përfundoi në këtë tragjedi familjare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



