FSDKSH paralajmëron farmacitë: 1-2 javë kohë për të korrigjuar shkeljet në skemën e rimbursimit të barnave
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka kërkuar angazhim më të madh nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë për të garantuar zbatimin e rregullave nga farmacitë që janë pjesë e skemës së rimbursimit të barnave.
Drejtoresha e Përgjithshme e FSDKSH-së zhvilloi një takim me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistëve, ku në qendër të diskutimeve ishin problematikat e evidentuara gjatë kontrolleve të fundit në terren dhe nevoja për korrigjimin e tyre.
Gjatë takimit, përfaqësuesve të Urdhrit iu kërkua të marrin një rol aktiv në ndërgjegjësimin dhe vetërregullimin e farmacistëve dhe subjekteve që përfaqësojnë. Për këtë qëllim, atyre u është lënë një periudhë prej 1-2 javësh për të identifikuar dhe korrigjuar problematikat e konstatuara, si dhe për të garantuar respektimin e detyrimeve ligjore dhe procedurave të përcaktuara.
Nga ana tjetër, FSDKSH ka bërë të qartë se kontrollet dhe monitorimi i farmacive do të vijojnë pa ndërprerje përmes strukturave përgjegjëse. Synimi është të parandalohet çdo abuzim me fondet publike dhe të garantohet që barnat e rimbursuara të përfundojnë te pacientët që kanë nevojë për to.
Fondi thekson se respektimi i rregullave të skemës nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi profesionale dhe etike ndaj qytetarëve.
Institucioni deklaron se do të forcojë mekanizmat e kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies, duke e konsideruar bashkëpunimin me Urdhrin e Farmacistëve një element të rëndësishëm për ruajtjen e integritetit dhe qëndrueshmërisë së skemës së rimbursimit të barnave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



