Reshjet e dendura përfshijnë Lezhën, ujërat mbulojnë disa rrugë të qytetit
Një stuhi e shkurtër shiu ka përfshirë mbrëmjen e sotme qytetin e Lezhës, duke shkaktuar prezencë të konsiderueshme uji në disa segmente rrugore. Edhe pse reshjet me intensitet të lartë zgjatën vetëm disa minuta, sasia e ujit krijoi përkohësisht vështirësi në disa prej pikave problematike të qytetit.
Grumbullime uji u konstatuan pranë Drejtorisë së Tatimeve, në zonën e ulët pranë çerdhes së qytetit, si dhe përgjatë aksit që lidh Lezhën me Shëngjinin. Këto zona u përballën me vështirësi në përballimin e prurjeve të krijuara nga reshjet intensive.
Megjithatë, këtë herë situata paraqiti një ndryshim krahasuar me episodet e mëparshme të motit të keq. Blloku i 11 Janarit dhe bulevardi “Gjergj Fishta”, të cilat në raste të tjera janë prekur nga përmbytjet, nuk shfaqën problematika.
Me ndërprerjen e reshjeve, uji nisi të largohej gradualisht dhe brenda pak minutash situata u kthye në normalitet. Evakuimi i ujërave u realizua përmes rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha, ku kohët e fundit janë kryer punime në kuadër të projektit për sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.
Pas tërheqjes së ujit, qarkullimi në rrugët e prekura vijoi normalisht, pa u raportuar pengesa të tjera për automjetet apo këmbësorët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



