E hënë, 16 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
PS bën zhurmë për Spiropalin, mbyll sytë para mocionit të Veliajt kundër Ramës
Lajme

PS bën zhurmë për Spiropalin, mbyll sytë para mocionit të Veliajt kundër Ramës

Elisa Spiropali nuk ka reaguar ende publikisht pas largimit të saj nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste. Megjithatë, heshtja e saj nuk i ka penguar përfaqësuesit e mazhorancës të flasin vazhdimisht për të. Ministra, deputetë dhe drejtues të partisë kanë kaluar dy ditët e fundit në studio televizive duke komentuar vendimin e Asamblesë, mënyrën si u mor ai dhe debatet mbi respektimin e statutit.

Diskutimi për Spiropalin, demokracinë e brendshme dhe kompetencat e kryetarit të PS-së ka lënë në hije një çështje tjetër me peshë politike: kërkesën e Erion Veliajt për nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Edi Ramës.

Më 14 nëntor, nga burgu i Fierit, kryebashkiaku i Tiranës u dërgoi anëtarëve të Asamblesë Kombëtare një fjalim të titulluar “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”. Përmes tij, Veliaj kërkoi aktivizimin e procedurës statutore për një mocion mosbesimi ndaj kreut të partisë.

Dikur një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramës, Veliaj e akuzoi kryeministrin për përqendrimin e vendimmarrjes në duart e tij, dobësimin e forumeve drejtuese dhe zëvendësimin e debatit politik me kërkesën për besnikëri personale.

Ai kishte kërkuar të merrte pjesë në mbledhjen e Asamblesë, qoftë fizikisht, qoftë përmes videokonferencës. Meqë kjo nuk u bë e mundur, kërkoi që qëndrimi i tij me shkrim t’u paraqitej anëtarëve dhe të përfshihej në dokumentacionin zyrtar të mbledhjes.

Por, ndërsa vendimi për largimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës u shndërrua në temën kryesore të diskutimeve brenda PS-së, kërkesa e Veliajt për të vënë në diskutim besimin ndaj vetë kryetarit të partisë nuk ka marrë ende një përgjigje publike.

Blendi Klosi ka dalë në mbrojtje të vendimit për Spiropalin, duke shpjeguar arsyet pse ajo nuk mund të jetë më pjesë e forumeve, pavarësisht se nuk pati një votim për këtë çështje. Ndërkohë, deputetë të tjerë janë përfshirë në debat për mënyrën se si është zbatuar statuti, madje duke pranuar se procedura e largimit nuk ka përfunduar.

Megjithatë, nga drejtuesit socialistë nuk ka ende një sqarim nëse kërkesa e Veliajt është regjistruar zyrtarisht, nëse i është përcjellë organeve kompetente dhe nëse do të shqyrtohet sipas procedurave statutore.

Në këtë mënyrë, debati brenda Partisë Socialiste është përqendruar te një deputete që nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike, ndërsa kërkesa e një tjetër figure të rëndësishme të partisë për të vënë në pikëpyetje drejtimin e Edi Ramës mbetet pa përgjigje.

Spiropali ka zgjedhur të heshtë, ndërsa Veliaj ka kërkuar hapur mocion mosbesimi ndaj kryetarit. Për çështjen e parë, socialistët kanë dhënë shpjegime të shumta. Për të dytën, deri më tani, nuk ka asnjë reagim publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.