E mitura 17-vjeçare denoncon mësuesin në Korçë për ngacmim seksual
Një rast i dyshuar i ngacmimit seksual ndaj një të miture është denoncuar në qytetin e Korçës. Një 17-vjeçare ka kallëzuar në polici një mësues të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, duke pretenduar se ai ka kryer veprime me natyrë seksuale ndaj saj gjatë një seance stërvitjeje volejbolli.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth një muaj më parë, në ambientet e palestrës së kësaj shkolle, ku zhvilloheshin stërvitjet e volejbollit dhe ku mësuesi ushtron edhe detyrën e tij.
Denoncimi është bërë mbrëmjen e së hënës në komisariat. Në dëshminë e dhënë në prani të babait dhe psikologes, 17-vjeçarja ka deklaruar se mësuesi, i identifikuar me inicialet E.C., e ka prekur në pjesë intime gjatë aktivitetit sportiv.
Pas kallëzimit, policia ka ndërhyrë për verifikimin e pretendimeve dhe ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të instaluara në palestrën e shkollës. Regjistrimet dhe pajisja DVR do t’i nënshtrohen këqyrjes për të siguruar prova që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave.
Mësuesi është shoqëruar në komisariat, ku ka dhënë edhe versionin e tij për ngjarjen, duke mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Në përfundim të veprimeve paraprake, ndaj tij është nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Hetimet vijojnë për të verifikuar dëshminë e 17-vjeçares, pretendimet e mësuesit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore në këtë rast.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



