E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Aksidenti tragjik u merr jetën dy të rinjve shqiptar në Gjermani
Lajme

Aksidenti tragjik u merr jetën dy të rinjve shqiptar në Gjermani

Një aksident i rëndë rrugor në Gjermani ka përfunduar me tre viktima dhe disa të plagosur, mes tyre edhe dy të rinj shqiptarë nga Kosova. Ngjarja tragjike u regjistrua të dielën pasdite në aksin B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, ku u përfshinë nëntë automjete.

Dy shqiptarët që humbën jetën janë Leart Morina, nga fshati Sopniq, dhe Berhan Zeka, nga Pataqani i Poshtëm. Të dy të rinjtë ishin nga Komuna e Rahovecit.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, viktimat ishin drejtuesit e dy automjeteve, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç, të cilët ndërruan jetë në vendngjarje. Ndërkohë, një 26-vjeçar, i cili udhëtonte si pasagjer, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.

Bilanci i aksidentit është edhe më i rëndë për shkak të tre personave të tjerë që mbetën të plagosur. Mes tyre ndodhet edhe një 26-vjeçare, gjendja shëndetësore e së cilës raportohet të jetë kritike.

Si ndodhi përplasja që përfshiu nëntë automjete?

Nga të dhënat paraprake të hetimit dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar ka humbur kontrollin e automjetit gjatë një manovre parakalimi, të kryer me shpejtësi të lartë.

Fillimisht, makina është përplasur me disa automjete që ndodheshin në rrugë, përpara se të përfundonte në një përplasje ballore me një tjetër automjet që po lëvizte në korsinë e kundërt.

Fuqia e përplasjes shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa disa prej automjeteve përfunduan të shkatërruara plotësisht. Në vendin e ngjarjes u angazhuan forca të shumta policie, zjarrfikësish dhe ekipe të emergjencës për dhënien e ndihmës dhe menaxhimin e situatës.

Për shkak të përmasave të aksidentit dhe operacionit të ndërhyrjes, qarkullimi në rrugën B311 u ndërpre për më shumë se 20 orë.

Kryetari i Rahovecit konfirmon humbjen e dy të rinjve

Lajmi për vdekjen e Leart Morinës dhe Berhan Zekës është konfirmuar edhe nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy të rinjve.

Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes, shkaqet e përplasjes dhe përgjegjësitë e mundshme.

Tragjedia ka tronditur familjet dhe komunitetin e Rahovecit, ndërsa dy të rinjtë shqiptarë humbën jetën në një prej aksidenteve më të rënda të regjistruara së fundmi në këtë zonë të Gjermanisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.