Pronat e krimit në shitje me çmime qesharake?! Si po humbet shteti miliona euro nga asetet e konfiskuara
Vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi i organizuar po ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si administrohen pasuritë që kalojnë në duart e shtetit. Një investigim mbi katalogët zyrtarë të pronave evidenton diferenca të konsiderueshme mes vlerave të regjistruara dhe çmimeve aktuale të tregut, duke ngritur dyshime për humbje të mëdha financiare për arkën publike.
Shembujt janë të shumtë. Një apartament prej 172 metrash katrorë, në afërsi të qendrës së Tiranës, figuron me një vlerë rreth 16 milionë lekë të reja, ndërsa çmimi i referencës arrin në rreth 22 milionë lekë. Sipas përllogaritjeve të tregut, vlera reale e tij mund të kalojë 35 milionë lekë.
Një tjetër rast është një apartament prej 69.9 metrash katrorë në zonën e Komunës së Parisit, i lidhur me ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Prona rezulton e vlerësuar me 7.4 milionë lekë të reja, ndërkohë që sipas çmimeve të tregut vlera e saj mund të arrijë rreth 15 milionë lekë.
Të njëjtat diferenca evidentohen edhe në zonën e Don Boskos, ku një apartament prej 93 metrash katrorë mund të kishte një vlerë thuajse dyfish më të lartë se ajo e pasqyruar në katalog.
Problemi nuk kufizohet vetëm te apartamentet. Një godinë trekatëshe, me sipërfaqe rreth 434 metra katrorë, pranë Qytetit Studenti, figuron me vlerë 37 milionë lekë, ndërsa sipas çmimeve të tregut mund të kushtojë të paktën 60 milionë lekë.
Sipas analizës së këtyre rasteve, diferencat në vlerësim ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat që shteti mund të përfitojë nga dhënia me qira apo shitja e pronave të konfiskuara.
Një tjetër shqetësim lidhet me faktin se shumë prej këtyre aseteve nuk rivlerësohen për vite me radhë. Ekspertja e ekonomisë, Gertjana Hasalla, shpjegon se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nuk kryen rregullisht rivlerësime për shkak të mungesës së fondeve për të paguar ekspertët e licencuar.
Si pasojë, pronat vijojnë të mbartin vlerën e përcaktuar në momentin e sekuestrimit, edhe kur çmimet e tregut kanë ndryshuar ndjeshëm. Përveç humbjes së mundshme financiare, kjo situatë rrit edhe rrezikun e amortizimit të ndërtesave që mbeten të pashfrytëzuara.
Në Tiranë, një dyqan prej 175 metrash katrorë, në një kompleks në Rrugën e Kavajës, ishte vlerësuar rreth 228 mijë euro në vitin 2018. Sipas përllogaritjeve të publikuara, vlera e tij aktuale mund të jetë trefishuar.
E njëjta problematikë shfaqet edhe në zonat bregdetare. Në Vlorë, një godinë prej rreth 3 mijë metrash katrorë në zonën e Ujit të Ftohtë ishte vlerësuar me rreth 2.07 milionë euro në vitin 2018, ndërsa sot vlera e saj llogaritet të jetë trefish më e lartë.
Përveç shitjes nën vlerën potenciale të tregut, mosshfrytëzimi i këtyre pronave përkthehet edhe në të ardhura të munguara nga qiratë. Ndërkohë, shteti vijon të shpenzojë miliona euro për marrjen me qira të ambienteve për institucionet publike, edhe pse një pjesë e pasurive të konfiskuara mund të shërbenin pikërisht për këto nevoja.
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, ka sugjeruar që asetet e sekuestruara t’u kalojnë sa më shpejt institucioneve që luftojnë krimin e organizuar, duke përfshirë automjetet, mjetet lundruese dhe pajisjet teknologjike që mund të përdoren në punën e strukturave ligjzbatuese.
Edhe eksperti Pano Soko vë në dukje se rritja e numrit të aseteve të konfiskuara duhet të shoqërohet me një plan konkret për përdorimin e tyre, pasi nevojat e institucioneve dhe të shoqërisë për ambiente, automjete dhe prona publike janë të konsiderueshme.
Në këto kushte, administrimi i pasurive të sekuestruara mbetet një çështje që kërkon transparencë dhe kontroll më të madh. Diferenca mes vlerës së regjistruar dhe asaj të tregut, mungesa e rivlerësimeve periodike dhe lënia e pronave pa destinacion rrezikojnë ta kthejnë një pasuri që duhet t’i shërbejë shtetit në një tjetër burim humbjesh për financat publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



