“Gjobat” ndaj punonjëseve të Postës së Durrësit, si bashkëshorti i ish-drejtoreshës u kërkonte para për të mbajtur vendin e punës
Një tjetër episod që hedh dritë mbi mënyrën se si funksiononte skema e dyshuar e abuzimit në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, lidhet me bashkëshortin e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, Fetah Mataj.
Sipas dëshmive të bëra publike gjatë hetimeve, ai dyshohet se u kërkonte punonjëseve të Postës një shumë prej 25 mijë lekësh çdo muaj, pagesë që ato e konsideronin si një lloj gjobe. Paratë kërkoheshin në këmbim të garantimit të vendeve të tyre të punës.
Fetah Mataj u arrestua në fillim të muajit tetor, në kuadër të hetimeve për skandalin financiar në Postën e Durrësit. Më pas, Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, nën dyshimet për kanosje.
Ai kishte mbajtur më herët edhe detyrën e zëvendësdrejtorit të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në Bashkinë e Durrësit.
Emri i tij doli gjatë hetimeve për zhdukjen e rreth 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pagesën e pensioneve dhe ndihmës ekonomike në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Për këtë çështje janë nën hetim edhe ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana. Ndërkohë, dosja ka kaluar tashmë në SPAK, pas dyshimeve se skema mund të jetë shtrirë përtej punonjësve të filialit dhe të përfshijë edhe persona me imunitet parlamentar.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha përgjegjësitë dhe për të përcaktuar se si janë përdorur fondet që duhej të shkonin për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



