E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Iluzioni i një bonusi
Lajme

Iluzioni i një bonusi

Në matematikën politike të Tiranës, miliardat e reja në buxhet tingëllojnë gjithmonë si triumf. Ndërsa qeveria prezanton projektbuxhetin e vitit 2027, retorika zyrtare është e përqendruar te bujaria: “dyfishim i bonusit”, “24 miliardë lekë fond shtesë” dhe “pensionistët në qendër të vëmendjes”. Por, kur zhurma e propagandës filtrohet përmes ekonomiksit bazë, shifrat tregojnë një histori tjetër.

Të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore zbulojnë një paradoks të heshtur. Mes viteve 2016 dhe 2026, shpenzimet nominale për pensionet u rritën me gati 90%, nga 114.28 miliardë në 216.61 miliardë lekë. Në pamje të parë, kjo duket si një rritje e ndjeshme.

Megjithatë, e matur si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto—treguesi i vërtë i përpjekjes fiskale të një shteti—torta për të moshuarit nuk lëvizi asnjë milimetër: ajo mbeti fiks në 7.76% të PBB-së.

Por ndërkohë që vija e shpenzimeve ndaj PBB-së qëndroi e sheshtë, presioni demografik u rrit ndjeshëm. Gjatë të njëjtës dekadë, numri i pensionistëve u shtua me gati 158 mijë e 500 persona (një rritje prej rreth 26%), duke arritur në rreth 770 mijë përfitues në vitin 2026.

Me fjalë të tjera, numri i pensionistëve është rritur me 26 për qind krahasuar me vitin 2016, ndërsa torta që ata ndajnë mes tyre ka mbetur e njëjta që ishte 10 vjet më parë. Kjo do të thotë se individualisht pensionistët tani marrin më pak dhe janë më të varfër se një dekadë më parë. Kjo është e vërteta përtej iluzionit.

Vendosja e treguesve në raport me PBB-në korrigjon dy defekte të mëdha të shifrave absolute, të cilat propaganda i shfrytëzon me mjeshtëri. Së pari, raporti me PBB-në eliminon efektin varfërues të inflacionit. Nëse pensionet në vlerë rriten me 20 për qind, por për të njëjtën periudhë çmimet janë rritur me 30 për qind, atëherë pensionistët janë 10 për qind më të varfër.

Së dyti—dhe kjo është më e rëndësishmja—ky tregues mat solidaritetin real të një shoqërie: se çfarë pjese të pasurisë së re që prodhon vendi çdo vit, qeveria vendos t’ua kalojë të moshuarve.

Edhe buxheti 2027 bashkë me bonusin e tij “historik” prej 20 miliardë lekësh nuk është asgjë tjetër veçse një iluzion i rremë bujarie. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e ardhshëm numri i pensionistëve pritet të arrijë në 788 mijë, ose 29 për qind më shumë se në 2016-ën. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë shpenzimet për pensionet do të rriten në 8.16 për qind e PBB-së, ose 5.1 për qind më shumë në peshë sesa në vitin 2016.

Përfundimi është sërish i njëjti. Edhe me atë që qeveria e konsideron si buxhetin historik të moshës së tretë, pensionistët sërish do të jenë më të varfër se një dekadë më parë.

Për të ruajtur të njëjtin nivel relativ të vitit 2016 (pra, që çdo pensionist të merrte të njëjtën pjesë të pasurisë kombëtare për frymë), në vitin 2027 pensionet do të duhej të merrnin fiks 10.00% të PBB-së. Në vlerë kjo do të kërkonte edhe 600 milionë euro shtesë mbi bonusin e famshëm prej 220 milionë eurosh që qeveria trumbeton aq fort.

E megjithatë, edhe lëmosha e 220 milionë eurove ka një hile të madhe, e cila ndan vijën mes politikës sociale dhe manovrës fiskale.

Ndryshe nga rritja e pensionit bazë, e cila krijon një detyrim të përhershëm ligjor për shtetin dhe i jep siguri afatgjatë qytetarit, bonusi është një dhuratë e varur nga vullneti i ekzekutivit dhe ciklet—përfshirë ato elektorale—të arkës së shtetit.

Për një qeveri, bonuset janë komode: ato prodhojnë tituj të mëdhenj lajmesh pa krijuar kosto të pakthyeshme në bilancet e ardhshme. Për një pensionist, ato janë një lehtësim i mirëpritur, por i pasigurt, që nuk e kompenson dot faktin se, ndërsa ekonomia shqiptare u rrit në terma nominalë, pozita e tij relative në shoqëri është varfëruar.

Në fund të ditës, aritmetika demografike nuk mund të mashtrohet me truke buxhetore dhe propaganda nuk mund të ndryshojë dot ligjet e ekonomisë. Teksa Shqipëria po plaket me një nga ritmet më të shpejta në Europë dhe emigracioni po tkurr bazën e kontribuuesve, një skemë pensionesh që mbijeton duke u arnuar me bonuse sezonale nuk po zgjidh një krizë sociale; ajo thjesht po e shtyn faturën e vërtetë për më vonë.

Për sa kohë që qeveria zgjedh të sillet si bamirëse e rastit në prag zgjedhjesh në vend që të jetë garantuese e një kontrate të drejtë sociale, “buxhetet historike” në Tiranë do të mbeten thjesht një art i rafinuar për të ndarë gjithnjë e më pak, duke premtuar gjithnjë e më shumë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.