Çakërri propozon ndryshimin e ligjit të AKSHI-t, Brahaj: Hapet rruga për kontrata dhe pagesa pa garë, skemë më e rëndë se KAYO
Një tjetër nismë ligjore e lidhur me institucionet shtetërore po ngre pikëpyetje për mënyrën se si do të menaxhohen fondet publike dhe do të jepen kontratat. Këtë herë në qendër është projektligji për ndryshimin e ligjit për Qeverisjen Elektronike, i propozuar nga deputetja socialiste Briseida Çakërri.
Sipas analizës së ekspertes dhe drejtoreshës së qendrës AIS, Aranita Brahaj, ndryshimet e propozuara krijojnë mundësinë që operatorët shtetërorë të blejnë licenca në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik.
Brahaj e konsideron këtë mekanizëm edhe më problematik se modeli KAYO. Sipas saj, ndërsa në rastin e KAYO-s ekzistonin disa rregulla për kontraktimin brenda sektorit shtetëror, drafti i ri nuk parashikon as procedura prokurimi dhe as mekanizma të posaçëm kontrolli për blerjet.
Ekspertja paralajmëron se në këtë mënyrë procesi mund të reduktohet në katër hapa: miratimi i ligjit, lidhja e kontratës, kalimi i pagesave dhe vijimi i efekteve financiare edhe përtej vitit buxhetor kur është nënshkruar marrëveshja.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e verifikimit nëse shërbimet mund të ofrohen nga vetë institucionet shtetërore, si dhe me shmangien e konsultimit publik për shkak se nisma është paraqitur nga një deputete.
Për të ilustruar rrezikun e pagesave të shpejta pa konkurrencë, Brahaj sjell si shembull kontratën me kompaninë turke Baykar Makina, të nënshkruar në dhjetor 2022. Vetëm dy ditë pas firmosjes, Forca Ajrore urdhëroi pagesën e rreth 989.1 milionë lekëve për atë vit.
Në përfundim, ekspertja ngre dyshime për interesat që mund të qëndrojnë pas kësaj nisme, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara mund të hapin rrugën për kontrata dhe pagesa të fondeve publike pa garë dhe pa filtrat e zakonshëm të kontrollit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



