Merret peng për një gërvishtje makine, i riu dhunohet dhe braktiset në pyll
Një konflikt banal për prekjen e pasqyrave të dy automjeteve ka përfunduar në një ngjarje të rëndë dhune në qytetin e Kukësit, ku një i ri është marrë forcërisht dhe është dhunuar fizikisht.
Sipas informacioneve, ngjarja nisi gjatë lëvizjes së dy automjeteve, pas një kontakti mes pasqyrave të makinave që drejtoheshin nga Valdet D. dhe Sadi E. Dy personat, të cilët njiheshin me njëri-tjetrin dhe ishin bashkëfshatarë, fillimisht janë përfshirë në një debat me sharje dhe ofendime.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët kanë ndaluar Valdet D. Por situata ka marrë një tjetër përmasë kur Sadi E. ka thirrur xhaxhain e tij, Saminë, dhe së bashku janë rikthyer aty ku ndodhej i riu.
Dyshohet se ata kanë përplasur automjetin e Valdetit dhe më pas e kanë marrë atë me forcë nga duart e efektivëve të Policisë, duke e futur në një automjet tip Mercedes ML, me ngjyrë të bardhë.
Më pas, dy personat e kanë transportuar të riun drejt një zone pyjore, ku e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë braktisur mes pyllit, përpara se të largoheshin në drejtim të Kukësit.
Për neutralizimin e personave të përfshirë në ngjarje është dashur ndërhyrja e forcave të specializuara të Policisë. Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje dhe përgjegjësia e personave të përfshirë pritet të sqarohen nga hetimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



