E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Zhdukja dhe vrasja e Eglant Koçit, dëshmitë zbulojnë pistën e kriptomonedhave dhe rolin e “Dhelprës së kuqe”
Lajme

Zhdukja dhe vrasja e Eglant Koçit, dëshmitë zbulojnë pistën e kriptomonedhave dhe rolin e “Dhelprës së kuqe”

Zhdukja e Eglant Koçit, 34-vjeçarit që humbi kontaktet me familjen më 4 qershor 2026, u kthye në një hetim për rrëmbim dhe vrasje, ku në qendër të dyshimeve u vendosën transaksionet me kriptomonedha dhe marrëdhëniet e tij me persona të përfshirë në këtë aktivitet.

Sipas dosjes hetimore, i riu ishte parë për herë të fundit në Tiranë, duke lëvizur me motorin e tij tip “Honda”. Një ditë më pas, vëllai i tij, Ledio Koçi, denoncoi zhdukjen në Komisariatin nr. 2, duke shprehur dyshimin se Eglanti mund të ishte rrëmbyer dhe vrarë.

Në dëshminë e tij, familjari tregoi se 34-vjeçari merrej me shkëmbimin e kriptomonedhave. Për këtë arsye, hetuesit verifikuan edhe një pikë këmbimi valutor në zonën e Laprakës, pranë Spitalit të Traumës, ku dyshohej se Eglanti konvertonte asetet dixhitale në para fizike.

Pronari i subjektit, Julian Kërçiku, konfirmoi se e njihte të riun dhe se ai kryente transferta valutore, por mohoi që ambienti i tij të përdorej për këmbimin e kriptomonedhave.

Një tjetër person që doli në skenë gjatë hetimeve ishte Armand Shakaj, i njohur me nofkën “Dhelpra e kuqe”. Ai u përmend fillimisht nga nëna e viktimës si mik dhe komshi i të birit.

Në dëshminë e dhënë para policisë, Shakaj deklaroi se ishte takuar me Eglant Koçin më 3 qershor, një ditë përpara zhdukjes së tij. Sipas versionit të tij, i riu i kishte folur për probleme që lidheshin me call center-at dhe kriptomonedhat.

Ky rrëfim u bë pjesë e verifikimeve të grupit hetimor, ndërsa hetuesit vijuan të analizonin marrëdhëniet mes personave të përfshirë në aktivitetin financiar dhe lëvizjet e tyre në ditët para zhdukjes.

Trupi i Eglant Koçit u gjet më 18 qershor në një humnerë në fshatin Cerrunjë, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit. Ndërkohë, Armand Shakaj vijon të jetë në kërkim, i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 34-vjeçarit.

Hetimet po përqendrohen në zbardhjen e plotë të motivit financiar dhe dokumentimin e rolit të personave që dyshohet se kanë pasur dijeni ose përfshirje në ngjarje.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.