E shtunë, 21 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Historia e Fetah Matajt me drejtësinë, nga arrestimi për gjobëvënie në 2011 te dosja e Postës së Durrësit
Lajme

Historia e Fetah Matajt me drejtësinë, nga arrestimi për gjobëvënie në 2011 te dosja e Postës së Durrësit

Rasti i Fetah Matajt, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, po rikthen në vëmendje edhe historinë e tij me drejtësinë, shumë vite përpara hetimeve të fundit për abuzimet me paratë e institucionit.

Ndërsa sot emri i tij është pjesë e dosjes që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për dyshimet mbi vjedhjen e fondeve të Postës së Durrësit dhe shtrëngimin e punonjësve përmes kanosjes, rezulton se edhe në vitin 2011 Fetah Mataj ishte arrestuar për një tjetër episod të dyshuar gjobëvënieje.

Bëhet fjalë për një çështje të hetuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, ku kallëzues ishte Asllan Dragoj, nipi i një gazetari të njohur. Sipas të dhënave të dosjes së asaj kohe, Dragoj kishte denoncuar Matajn, duke pretenduar se ky i fundit e kërcënonte dhe ushtronte presion ndaj tij për t’i marrë shuma parash.

Hetimi përfundoi në një operacion policor në qershor të vitit 2011, kur Fetah Mataj u arrestua nën dyshimet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Më 17 qershor 2011, Gjykata për Krime të Rënda caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Megjithatë, në të njëjtin vendim gjykata e konsideroi të paligjshëm arrestimin e kryer në mesnatën e 15 qershorit.

Më pas, çështja kaloi në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Më 8 korrik 2011, Apeli vendosi shfuqizimin e masës së sigurisë ndaj Matajt, duke i hapur rrugën lirimit të tij nga qelia. Në raportimet për këtë çështje përmenden edhe pretendime për ndërhyrjen e një funksionari të lartë të Partisë Socialiste në Durrës, me inicialet V.D., në favor të tij.

Jo vetëm episodi i vitit 2011, por edhe dy çështje të tjera në të kaluarën

Historia e Matajt me organet e drejtësisë, sipas të dhënave të bëra publike, nuk kufizohet vetëm te kjo dosje. Në vitin 2008 ai raportohet të jetë proceduar dhe arrestuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”.

Po ashtu, në të kaluarën e tij përmendet edhe një hetim nga Prokuroria e Gjirokastrës, ku dyshohej për përfshirje në grabitjen me armë të emigrantëve në zonën kufitare të këtij qarku.

Nga pretendimet për gjobë mujore te dosja me miliona në Postën e Durrësit

Emri i Fetah Matajt është rikthyer në qendër të vëmendjes pas hetimeve për skemën e dyshuar të zhvatjes së punonjësve të filialeve të Postës Shqiptare në Durrës.

Sipas dyshimeve të hetuesve, ai dhe bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, kanë ushtruar presion dhe shantazh ndaj punonjëseve të postave, duke u kërkuar pagesa mujore në vlerën e 1 milion lekëve të vjetra.

Në këtë dosje janë përfshirë edhe dy emra të tjerë nga strukturat e Postës në Durrës, Valbona Duni dhe Paola Dana. Materialet hetimore për katër personat i janë përcjellë SPAK-ut, ku dyshohet se veprimet mund të jenë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një diferencë të konsiderueshme në përmasat financiare të abuzimit. Në fazat e para të çështjes është përmendur një dëm prej rreth 700 mijë eurosh, ndërsa një auditim i dytë financiar ka evidentuar dyshime për një vlerë shumë më të lartë, që arrin në 3 miliardë e 600 milionë lekë të vjetra.

Në hetimet e SPAK-ut është përfshirë edhe deputetja socialiste e Durrësit, Etleva Budini, e cila përpara marrjes së mandatit parlamentar ka drejtuar degën e Postës Shqiptare në këtë qytet.

Kështu, ndërsa hetimi për abuzimet financiare në Postën e Durrësit po zgjerohet dhe po shqyrtohen përgjegjësitë e personave të përfshirë, e kaluara e Fetah Matajt me drejtësinë shton pikëpyetjet mbi aktivitetin e tij ndër vite. Përgjegjësia penale për akuzat aktuale, megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.