Bashkia Tiranë “zbyth” Kryeministrin Rama: Nuk jemi pronë e jotja!
Bashkia e Tiranës ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste për Tiranën, duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike në funksionimin e institucionit dhe presion publik ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Në një deklaratë për mediat, institucioni vendor thekson se nuk është në varësi personale të kryeministrit dhe se vendimmarrja e tij mbrohet nga Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore. Sipas Bashkisë, emërimet dhe shkarkimet e punonjësve janë kompetencë institucionale, e cila duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe jo mbi bazën e preferencave personale apo interesave politike.
Reagimi vjen pas kritikave të Ramës në Asamblenë e PS-së, ku kryeministri komentoi vendimet e marra në administratën e Bashkisë së Tiranës, duke përmendur edhe largimin e disa punonjësve nga detyra. Rama kritikoi gjithashtu avokatin e Erion Veliajt, Plarent Ndrecën, për rolin që, sipas tij, po merr në çështjet e institucionit vendor.
Në deklaratën e saj, Bashkia ngre shqetësimin se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur, Erion Veliaj, po përdoret për të dobësuar autoritetin e tij institucional dhe për të vendosur kontroll politik mbi institucionin.
Bashkia i kërkon kryeministrit të ndalë ndërhyrjet në vendimmarrjen e saj dhe të respektojë autonominë vendore, duke theksuar se institucioni përfaqëson qytetarët e Tiranës dhe jo interesat apo preferencat personale të drejtuesve politikë.
Deklarata e plotë e Bashkisë së Tiranës:
Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



