Me armë në makinën e blinduar, 4 të arrestuar, mes tyre dy ushtarakë dhe një gardist
Katër persona kanë përfunduar në pranga në Tiranë, pasi u kapën duke lëvizur me armë zjarri në një automjet të blinduar tip “Audi”. Ajo që e bën më të veçantë rastin është fakti se mes të arrestuarve ndodhen dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1. Kontrolli u krye në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, ku uniformat blu ndaluan automjetin me katër personat brenda.
Gjatë verifikimit të makinës, efektivët zbuluan një pistoletë të fshehur në një çantë të zezë, e cila ishte vendosur në pjesën e pasme të automjetit. Por ky nuk ishte i vetmi konstatim i policisë.
Kontrolli fizik ndaj drejtuesit të mjetit, 40-vjeçarit me inicialet E. R., i cili rezulton punonjës i Gardës së Republikës, çoi në zbulimin e një pistolete tjetër që ai mbante me vete.
Pas ndërhyrjes policore, në pranga u vunë katër shtetasit E. R., 40 vjeç, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç dhe E. S., 46 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, dy prej tyre janë pjesëtarë të strukturave ushtarake, ndërsa njëri është efektiv i Gardës së Republikës.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjetur në automjet, si dhe një fenelinë e ngjashme me ato që përdoren nga Policia e Shtetit. Kjo pajisje dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari me inicialet I. Sh.
Ndërkohë, për pistoletën e zbuluar gjatë kontrollit fizik të punonjësit të Gardës, verifikimet po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Katër të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar statusin dhe prejardhjen e armëve të sekuestruara, si dhe rolin dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej personave të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



