Atentati me dy viktima në Fier, “Sel Çami” dhe nipi u ekzekutuan me silenciator
Autorët u maskuan si policë dhe i survejuan me dron
Atentati i së hënës në lagjen “1 Maji” në Fier, ku u ekzekutua 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami” ose “Seli i Matit”, dhe u plagos rëndë nipi i tij, Jakup Hasani, ka marrë një tjetër zhvillim tragjik. Ky i fundit ndërroi jetë mëngjesin e së martës në spital, pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra gjatë sulmit me armë zjarri.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen kanë nxjerrë në pah të dhëna të reja mbi mënyrën e organizimit dhe ekzekutimit të atentatit. Dyshimet paraprake janë se autorët e kishin studiuar më herët lëvizjen e objektivave të tyre dhe kishin ndërmarrë masa për të shmangur identifikimin gjatë operacionit kriminal.
Uniforma policie, dy pistoleta me silenciator dhe një automjet i djegur
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën tre persona. Dy prej tyre kanë luajtur rolin e qitësve, ndërsa personi i tretë dyshohet se ka drejtuar automjetin e përdorur për lëvizjen dhe largimin nga vendngjarja.
Autorët mendohet se kanë përdorur dy pistoleta me silenciator, ndërsa në vendin e atentatit janë gjetur të paktën 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Nga të dhënat paraprake, Jakup Hasani ka marrë tre plumba, ndërsa Selami Hasani të paktën pesë.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit është dyshimi se autorët kanë qenë të maskuar dhe kanë përdorur uniforma policie për të kaluar pa tërhequr vëmendje në lagjen “1 Maji”. Kjo mënyrë veprimi, nëse konfirmohet, mund t’u ketë shërbyer për të shmangur dyshimet e banorëve në një zonë ku siguria monitorohet përmes kamerave të shumta.
Megjithatë, përdorimi i uniformave të policisë mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Automjeti tip “Volvo”, që dyshohet se është përdorur nga autorët, është gjetur i djegur. Brenda tij janë zbuluar edhe armët që dyshohet se janë përdorur në atentat. Përdorimi i silenciatorëve mendohet se ka pasur si qëllim kufizimin e zhurmës dhe shmangien e alarmit në zonën ku ndodhi sulmi.
Dyshimet për përdorimin e dronit, viktimat u sulmuan në oborrin e banesës
Një tjetër pistë që po hetohet lidhet me mundësinë që Selami Hasani të jetë mbajtur nën vëzhgim përpara atentatit, përfshirë edhe përmes një droni.
Dyshimet janë se autorët mund të kenë monitoruar lëvizjet e tij dhe kanë pritur momentin kur 60-vjeçari doli në oborrin e banesës. Në çastin e sulmit, Selami Hasani dhe nipi i tij Jakup Hasani ndodheshin jashtë banesës, ku po merreshin me punimin e tokës.
Sipas informacioneve paraprake, Hasani qëndronte kryesisht në banesën e tij në lagjen “1 Maji”, ndërsa kjo rrethanë po shqyrtohet në kuadër të hetimeve për të përcaktuar nëse autorët e kishin studiuar rutinën e tij të përditshme.
Për momentin, përdorimi i dronit mbetet një dyshim që duhet të verifikohet nga grupi hetimor.
Konflikti Hasani-Isufaj, pista e hakmarrjes që rikthehet pas më shumë se tri dekadash
Një nga pistat kryesore ku po përqendrohen hetimet është konflikti i hershëm mes familjeve Hasani dhe Isufaj në Fier, i cili daton që prej vitit 1994.
Në atë vit, Enver Isufaj, babai i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, u vra në një bilardo në zonën e Sheqit. Sipas vendimeve gjyqësore të lidhura me këtë ngjarje, në vrasje morën pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit.
Përplasjet mes palëve vijuan edhe në vitet pasuese. Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua më 25 mars 2002, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës”, ku ndodhi një atentat me pasoja fatale.
Për këtë ngjarje, Selami Hasani u dënua me 25 vite burg, vendim që u konfirmua nga Gjykata e Lartë në vitin 2010. Ndërsa Pëllumb Yzeiraj u dënua me burgim të përjetshëm.
Selami Hasani ishte arrestuar më 12 gusht 2009 nga forcat RENEA dhe u lirua nga burgu në fund të vitit 2021.
Një tjetër element që po rikthehet në vëmendje në këtë histori është fakti se gjatë atentatit të vitit 2002 mbeti i vrarë Julian Isufaj, nipi i “Ben Qimes”. Tashmë, në atentatin e fundit në Fier, viktimë ka mbetur edhe nipi i Selami Hasanit, Jakup Hasani.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur autorësinë, mënyrën e organizimit të sulmit dhe shkakun që çoi në vrasjen e Selami dhe Jakup Hasanit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



