Shisnin drogë pranë shkollave në Shkodër, 13 persona në pranga
Një rrjet i dyshuar i shpërndarjes së lëndëve narkotike në Shkodër është goditur nga Policia, në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”. Pas tre muajsh hetime, autoritetet kanë arrestuar 13 persona, të dyshuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se vepronin në disa grupe dhe shpërndanin lëndë narkotike të ndarë në doza, kryesisht në afërsi të institucioneve arsimore dhe në ambiente të tjera publike në qytetin e Shkodrës.
Në mesin e të arrestuarve janë Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku dhe Mariglen Gjergji.
Policia bën me dije se tre muajt e hetimeve u zhvilluan me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se disa prej personave të ndaluar kishin precedentë penalë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të dyshuarve, efektivët zbuluan dhe sekuestruan 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Një pjesë e saj ishte ndarë paraprakisht në doza dhe ishte paketuar në qese farmaceutike, çka dyshohet se lidhet me përgatitjen e saj për shpërndarje.
Përveç lëndës narkotike, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy automjete, 14 telefona celularë, tri peshore elektronike dhe materiale të tjera që dyshohet se përdoreshin për ndarjen dhe paketimin e drogës.
Operacioni u realizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa 13 personat do të përballen me akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kryer në bashkëpunim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



