Paro Laçi kërkon mbrojtje nga drejtësia, pretendon se rrezikohet nga Berisha
Ish-presidenti i klubit të futbollit Partizani, Paro Laçi, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për t’u marrë në mbrojtje si dëshmitar, pasi pretendon se jeta e tij është në rrezik nga Sali Berisha dhe persona të lidhur me të.
Laçi ndodhet aktualisht në Zvicër dhe, sipas pretendimeve të tij, nuk ndihet i sigurt të kthehet në Shqipëri. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar drejtësisë që t’i garantohet mbrojtja, në mënyrë që të mund të japë dëshminë pa u ekspozuar ndaj rrezikut që pretendon se i kanoset.
Ish-presidenti i Partizanit ka bërë më herët akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Në kërkesën drejtuar GJKKO-së, ai ka argumentuar se frika për sigurinë e tij e pengon të paraqitet fizikisht në Shqipëri për të dëshmuar.
Për rastin kur kërkesa për statusin e dëshmitarit të mbrojtur nuk do të merrej në konsideratë, Laçi kishte propozuar dy mënyra alternative për të dhënë dëshminë: përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve zvicerane ose duke u marrë në pyetje nga gjykata në territorin e Zvicrës.
Në përfundim të seancës, GJKKO ka pranuar kërkesën për marrjen e dëshmisë së tij përmes letërporosisë, duke i hapur rrugë procedurës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Sa i përket kërkesës për statusin e dëshmitarit të mbrojtur, trupi gjykues ka sqaruar se kjo çështje nuk është në kompetencën e gjykatës, por i takon prokurorisë të marrë një vendim.
Kështu, Paro Laçi do të japë dëshminë nga Zvicra, ndërsa mbetet për t’u parë nëse organi i akuzës do të pranojë kërkesën e tij për përfshirjen në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



