“Më kërcënuan për të mashtruar me leuçeminë”, zbardhet dëshmia e 22-vjeçarit që mblodhi 190 mijë € duke gënjyer
Është zbardhur dëshmia e 22-vjeçarit Endrit Azemi, i arrestuar në Kosovë nën dyshimin se mashtroi qytetarët dhe shqiptarët e diasporës, duke pretenduar se vuante nga leuçemia akute dhe duke përfituar përmes donacioneve një shumë prej afro 190 mijë eurosh.
Para Prokurorisë, Azemi ka deklaruar se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk është diagnostikuar asnjëherë me leuçemi. Megjithatë, ai pretendon se ishte detyruar dhe kërcënuar nga 23-vjeçari Jon Sadiku për të marrë pjesë në këtë skemë mashtrimi.
Sipas dëshmisë së tij, Sadiku ishte personi që kishte organizuar të gjithë planin, kishte falsifikuar dokumentet mjekësore të spitalit Acibadem në Turqi dhe i kishte premtuar 10 mijë euro nga shuma e mbledhur.
Sadiku mohon akuzat: E ndihmova sepse besoja se ishte i sëmurë
Nga ana tjetër, Jon Sadiku i ka mohuar pretendimet e 22-vjeçarit. Në reagimin e tij për mediat në Kosovë, ai ka deklaruar se e kishte ndihmuar Endritin sepse kishte besuar se vuante nga një sëmundje e rëndë.
Sadiku ka mohuar se e kishte kërcënuar, se kishte falsifikuar dokumente mjekësore apo se kishte organizuar një skemë për të përfituar financiarisht nga rasti.
Ndërkohë, familjarët e Endrit Azemit kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për mashtrimin e dyshuar. Motra e tij, pjesëtare e FSK-së, e cila kishte dalë publikisht për të kërkuar ndihmë financiare vetëm dy ditë para arrestimit, kishte shpjeguar se rënia e flokëve dhe vetullave të të vëllait lidhej me mungesën e vitaminave.
189 mijë euro të mbledhura, fondet u kthyen te donatorët
Nga fushata e apelit për ndihmë financiare u grumbulluan gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 centë.
Sipas informacioneve të bëra publike, as Endriti dhe as familjarët e tij nuk kishin shpenzuar para nga kjo shumë. Pas nisjes së hetimeve, llogaritë bankare të tyre u bllokuan, ndërsa fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe iu kthyen donatorëve.
Hetimet pritet të zbardhin rolin e secilit prej personave të përfshirë në këtë rast, ndërsa pretendimet e Endrit Azemit ndaj Jon Sadikut mbeten për t’u verifikuar nga organet e drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



