“Zgjohet” Lulzim Basha, zbulohet lëvizja e tij e fundit
Lulzim Basha ka kaluar përplasjen me Taulant Ballën nga foltorja e Kuvendit në dyert e gjykatës. Ish-kreu i Partisë Demokratike ka depozituar një padi civile në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke kërkuar përgënjeshtrimin publik të deklaratave të deputetit socialist.
Shkak është bërë një deklaratë e Ballës në Kuvend, ku ky i fundit pretendoi se Agron Shehaj kishte paguar 500 mijë euro për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë, duke ia atribuar këtë informacion Lulzim Bashës.
Në reagimin e tij, Basha i konsideron këto pretendime të pavërteta dhe shpifëse, duke argumentuar se ato dëmtojnë reputacionin dhe dinjitetin e tij.
Përmes padisë, ai kërkon që gjykata ta detyrojë Ballën të tërheqë deklaratën dhe të publikojë një përgënjeshtrim në mediat kombëtare, duke mbuluar vetë shpenzimet për publikimin e tij.
Në argumentet e paraqitura përpara gjykatës, Basha thekson se liria e shprehjes dhe debati politik nuk mund të shërbejnë si mburojë për përhapjen e deklaratave faktike të pavërteta, të cilat cenojnë reputacionin e individëve.
Përplasja nisi pas replikave mes Ballës dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, kur deputeti socialist iu drejtua këtij të fundit duke pretenduar se kishte paguar për të siguruar një vend në listën e kandidatëve.
“O Agron, ma ka thënë Luli, ‘Agron Shehajn e futa në listë për deputet se më dha 500 mijë euro. Dhe ti ke ardhur në politikë duke blerë mandatin”, deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.
Në këtë kontekst, Basha ka rikthyer në vëmendje edhe nismën ligjore të vitit 2023, përmes së cilës kërkonte ashpërsimin e dënimeve për shpifjen kur ajo kryhet nga persona të zgjedhur, përfshirë deputetët.
Në atë kohë, argumenti i tij ishte se funksioni politik dhe mandati parlamentar nuk duhet t’i vendosin të zgjedhurit mbi përgjegjësinë ligjore, ndërsa statusi i deputetit nuk mund të përdoret si justifikim për deklarata shpifëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



