E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Dy dimensione të lirisë
Lajme

Dy dimensione të lirisë

🇬🇧 Read in English

Publikuar nga Andi Myrta

Sot Shqipëria kremton Ditën e Pavarësisë. Ndonëse nuk është një vit jubilar, festa pritet të kremtohet me madhështi, por në dy mënyra të ndryshme. Njëra palë do të jetë pranë sofrës së pushtetit, duke dëgjuar fjalimin patriotik të kryeministrit, ndërsa pala tjetër do të jetë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Të dyja palët do të mbajnë në duar të njëjtin flamur.

Ka mendime të ndryshme për këtë mënyrë të kremtimit të Pavarësisë. Disa mendojnë se protesta synon të zhvlerësojë festën kombëtare. Analisti i gjyshes veneciane e di që tani se protestuesit duan të djegin Tiranën. Ky është një nga analistët më të talentuar të vendit, sepse ka aftësinë të analizojë edhe ngjarjet që ende nuk kanë ndodhur.

Të tjerë shqetësohen se protesta nuk ka një udhëheqës. Qeveria nuk di kë të thërrasë, me kë të negociojë dhe kujt t’i ofrojë ndonjë gjë në këmbim të qetësisë. Një grup tjetër shqetësohet se nga protesta mund të lindin shumë parti politike. Pra, disa ankohen se protesta nuk ka një parti, ndërsa të tjerët se mund të ketë shumë. Të gjithë, megjithatë, kanë gjetur diçka për të kritikuar te protestuesit dhe asgjë për të kritikuar te qeveria kundër së cilës protestohet.

Por le t’i kthehemi historisë.

Në vitin 1912, shqiptarët vendosën se nuk donin të qeveriseshin më nga të huajt. Shpallën Pavarësinë dhe krijuan shtetin e tyre. Me kalimin e viteve, zbuluan se edhe bashkatdhetarët e tyre mund t’i qeverisnin në mënyrë të tillë që të mos kishin të drejtë të hapnin gojën.

Gjatë diktaturës komuniste, për shembull, Shqipëria ishte një shtet i pavarur. Kishte qeverinë e saj, policinë e saj, gjykatat e saj dhe burgjet e saj. Nuk ishte nevoja të vinte ndonjë i huaj për të burgosur shqiptarët. Këtë punë e bënim vetë, me forcat tona.

Edhe atëherë Dita e Pavarësisë festohej me madhështi. Qytetarët dilnin në rrugë me flamuj dhe parulla. Parullat ua shkruante partia. Nëse ndonjë qytetar kishte dëshirë të shkruante një parullë të vetën, rrezikonte ta kalonte pjesën tjetër të festës në burg.

Këtu qëndron dallimi midis dy dimensioneve të lirisë: pavarësisë së shtetit dhe lirisë së qytetarit. Në vitin 1912 fituam të drejtën për t’u qeverisur nga shqiptarët. Por na u deshën shumë vite për të fituar të drejtën që t’u kërkonim llogari shqiptarëve që na qeverisnin.

Sipas propagandistëve të pushtetit, më 28 Nëntor qytetarët duhet të ngrenë flamurin, të dëgjojnë fjalimet patriotike, të ndjekin koncertet dhe të kthehen në shtëpi. Për korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe administrimin e pasurive kombëtare mund të protestojnë një ditë tjetër. Mundësisht kur qeveria nuk ka ndonjë festë, ndonjë samit ndërkombëtar, ndonjë vizitë të rëndësishme apo ndonjë takim në Bruksel.

Në të vërtetë, protesta paqësore është një nga mënyrat më kuptimplota të kremtimit të Ditës së Pavarësisë. Shqiptarët e vitit 1912 kërkuan të drejtën për të vendosur vetë për fatin e vendit të tyre. Qytetarët që protestojnë sot kërkojnë ta ushtrojnë pikërisht këtë të drejtë.

Pavarësia nuk forcohet duke shtuar numrin e flamujve në rrugë, por duke shtuar mundësitë e qytetarëve për të vendosur mbi punët e vendit të tyre. Kërkesa për institucione të përgjegjshme, për mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe për një qeverisje pa korrupsion i jep përmbajtjen e duhur festës së Pavarësisë.

Sot në Vlorë, qeveritarët do të flasin për sovranitetin e popullit shqiptar, se si plaku i urtë Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe se si kryeministri ynë, që e ka bërë mjekrën si të Ismail Qemalit, po e shpie vendin në Evropë. Në Tiranë, qytetarët do ta kremtojnë Pavarësinë duke ushtruar të drejtën për të kundërshtuar qeverinë e tyre. Ata e kanë kuptuar se nuk mjafton të jesh i pavarur nga qeveritë e huaja, nëse nuk je i lirë t’i kërkosh llogari qeverisë tënde. Përndryshe, e vetmja gjë që kemi fituar nga Pavarësia është mundësia për të marrë urdhra në gjuhën shqipe.

Sipas logjikës së disa analistëve tanë, Ismail Qemali do të kishte bërë mirë që, pasi ngriti flamurin në Vlorë, t’u drejtohej shqiptarëve me këto fjalë:

— Shqipëria tani është e juaja. Shkoni në shtëpi dhe mos u përzieni më në punët e saj!

Për fat të mirë, Ismail Qemali nuk na e la këtë porosi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.