E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Shqipëria pa trena por jo pa tendera, Hekurudha Shqiptare kërkon 1.9 milionë euro për mirëmbajtje
Lajme

Shqipëria pa trena por jo pa tendera, Hekurudha Shqiptare kërkon 1.9 milionë euro për mirëmbajtje

🇬🇧 Read in English

Shqipëria vijon të presë rikthimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve, ndërsa projektet kryesore zvarriten dhe afatet shtyhen vazhdimisht. Por pavarësisht kësaj situate, Hekurudha Shqiptare ka hapur një tender me vlerë 1.9 milionë euro pa TVSH për blerjen e makinerive dhe pajisjeve të mirëmbajtjes, duke ngritur pikëpyetje mbi kohën dhe domosdoshmërinë e këtij investimi.

Hekurudha Shqiptare kërkon miliona euro për pajisje të reja, ndërkohë që qytetarët vijojnë të mos kenë në dispozicion një rrjet funksional për transportin hekurudhor të pasagjerëve. Procedura e re e prokurimit, me fond limit rreth 1.9 milionë euro pa TVSH, parashikon blerjen e makinerive dhe mjeteve të specializuara për mirëmbajtjen e linjave hekurudhore.

Në listën e pajisjeve të kërkuara përfshihen eskavatorë të përshtatur për punime në hekurudha, ganxha ngritëse, pajisje për shtrëngimin dhe lirimin e bulonave, krikë mekanikë, si dhe instrumente për matjen e temperaturës dhe konsumit të shinave.

Por në një kohë kur projektet kryesore hekurudhore në vend janë ende larg përfundimit, lind një pikëpyetje e rëndësishme: përse nevojitet një investim i tillë pikërisht tani, kur infrastruktura që do të kërkojë mirëmbajtje nuk është ende plotësisht funksionale?

Linja Tiranë-Durrës dhe Rinas, premtimi i vitit 2023 mbetet i parealizuar

Një prej projekteve që ilustron më qartë vonesat e investimeve hekurudhore është linja Tiranë-Durrës, me degëzimin drejt aeroportit të Rinasit.

Projekti ishte premtuar të përfundonte në vitin 2023, por afatet janë ndryshuar disa herë. Sipas planifikimit të investimeve publike, ndërtimi i tetë stacioneve dhe ndalesave parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2027, ndërsa elektrifikimi i linjës pritet të realizohet pas vitit 2029.

Pra, edhe pse rikthimi i trenave në këtë aks është prezantuar prej vitesh si një ndër investimet kryesore të transportit publik, përfundimi i plotë i projektit mbetet ende larg.

Një tjetër investim strategjik është linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, e cila synon të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi. Punimet për këtë projekt pritet të nisin gjatë vitit 2027, ndërsa përfundimi është parashikuar për vitin 2030.

Tenderi me marrëveshje kuadër, blerjet mund të bëhen sipas nevojave

Një element tjetër që tërheq vëmendjen në procedurën e Hekurudhës Shqiptare është mënyra e prokurimit. Institucioni ka zgjedhur mekanizmin e marrëveshjes kuadër, i cili nuk e detyron të blejë menjëherë të gjitha pajisjet e parashikuara.

Përmes kësaj forme, kompania publike mund të përcaktojë gjatë periudhës së zbatimit sasinë dhe momentin e porosive, në varësi të nevojave që do të paraqiten.

Megjithatë, një tjetër çështje që kërkon sqarim lidhet me faktin se mirëmbajtja e linjave që janë ende në proces ndërtimi nuk është përgjegjësi e Hekurudhës Shqiptare. Deri në momentin e marrjes në dorëzim të veprës, përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe defektet i takon kompanisë private që kryen punimet, sipas përcaktimeve të kontratave.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme transparencën mbi nevojat konkrete që justifikojnë blerjen e pajisjeve dhe mënyrën se si ato do të përdoren.

Hekurudha Shqiptare me 2.2 milionë euro humbje, të ardhurat nga pasagjerët vetëm 4.5 mijë euro

Përtej projekteve të vonuara dhe tenderëve të rinj, problematikë mbetet edhe gjendja financiare e vetë shoqërisë publike.

Sipas bilancit financiar për vitin 2025, Hekurudha Shqiptare ka regjistruar një humbje prej rreth 2.2 milionë eurosh, ndërsa vijon të mbështetet kryesisht te subvencionet nga buxheti i shtetit.

Shifrat e të ardhurave nga aktiviteti janë veçanërisht domethënëse. Gjatë gjithë vitit 2025, transporti i pasagjerëve ka gjeneruar vetëm 4.5 mijë euro, ndërsa nga transporti i mallrave janë arkëtuar rreth 290 mijë euro.

Në të njëjtën periudhë, vetëm shpenzimet për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve kanë arritur në rreth 5.3 milionë euro në vit.

Kjo do të thotë se të ardhurat e siguruara nga transporti i pasagjerëve dhe mallrave janë shumë larg mbulimit të kostove të personelit, pa llogaritur shpenzimet e tjera të aktivitetit të shoqërisë.

Një tjetër e dhënë që ngre pikëpyetje lidhet me shpërblimet për punonjësit. Pavarësisht rezultateve financiare negative, gjatë vitit 2025 janë shpërndarë rreth 350 mijë euro në formën e shpërblimeve.

Milionat për pajisjet, ndërsa qytetarët presin trenat

Kontrasti mes gjendjes së transportit hekurudhor dhe shpenzimeve të shoqërisë publike mbetet i dukshëm. Nga njëra anë, linjat kryesore vazhdojnë të përballen me vonesa dhe projektet e premtuara nuk janë përfunduar sipas afateve fillestare. Nga ana tjetër, Hekurudha Shqiptare vijon të kërkojë fonde të konsiderueshme për pajisje, ndërkohë që aktiviteti i saj mbetet me humbje dhe i varur nga financimi publik.

Tenderi prej 1.9 milionë eurosh rikthen në vëmendje mënyrën se si planifikohen dhe justifikohen investimet në një sektor që ende nuk arrin të ofrojë një shërbim funksional hekurudhor për pasagjerët.

Ajo që ka nevojë për shpjegim me patjetër, është se për çfarë po përgatitet Hekurudha Shqiptare të shpenzojë miliona euro për mirëmbajtje, kur qytetarët ende presin që trenat të rikthehen në shina?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.