Nga qeveria tranzitore te Vettingu, Aleanca Kombëtare paraqet 10 kërkesat për përmbysjen e modelit politik
🇬🇧 Read in EnglishNë protestën kombëtare që po zhvillohet sot në Tiranë, Lëvizja Aleanca Kombëtare ka bërë publike një platformë me 10 kërkesa drejtuar qeverisë, përmes së cilës propozon ndryshime të thella në organizimin politik dhe institucional të vendit.
Në deklaratën e saj, Aleanca Kombëtare kërkon ndërtimin e një shteti të mbështetur te interesi kombëtar shqiptar, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për të garantuar sovranitetin, vetëqeverisjen dhe përfaqësimin e qytetarëve. Në qëndrimin e saj, lëvizja shprehet kundër asaj që e konsideron ndikim të interesave të huaja dhe tradhti ndaj interesit kombëtar.
Në qendër të propozimeve janë rishkrimi i Kushtetutës përmes një Asambleje Kushtetuese, ndryshimi i sistemit zgjedhor, krijimi i një qeverie tranzitore me ekspertë jashtë partive politike dhe kalimi në Vetting i të gjithë klasës politike.
Aleanca kërkon gjithashtu sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, ashpërsimin e ndëshkimeve për korrupsionin dhe goditjen e ekonomisë kriminale. Në platformë përfshihen edhe reforma për çështjen e pronave dhe riorganizimi i sistemit të partive politike.
10 kërkesat e Lëvizjes Aleanca Kombëtare:
- Thirrja e Asamblesë Kushtetuese, e cila do të rishkruajë Kushtetutën e Shqipërisë, me synimin për t’i rikthyer kombit shqiptar sovranitetin dhe vendimmarrjen.
- Vendosja e referendumit propozues, krahas referendumit shfuqizues ose abrogativ, për çështje të caktuara.
- Ndryshimi i sistemit elektoral dhe Kodit Zgjedhor, në funksion të përfaqësimit të të gjitha shtresave shoqërore.
- Krijimi i një qeverie tranzitore, të përbërë nga ekspertë të vlerësuar, pa përkatësi partiake dhe me pëlqimin e Parlamentit Shqiptar.
- Vetting i menjëhershëm për të gjithë klasën politike, pa përjashtim.
- Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
- Ashpërsimi i ndëshkimeve penale dhe administrative për çdo formë korrupsioni, si dhe konfiskimi i pasurive për të cilat nuk justifikohet burimi i krijimit.
- Goditja e ekonomisë kriminale, përmes heqjes së licencave, sekuestrimeve, konfiskimeve dhe, kur është rasti, dënimeve me burg.
- Reformë rrënjësore dhe përfundimtare për pronat, një çështje që Aleanca e konsideron të domosdoshme për t’u zgjidhur.
- Ndërtimi i strukturave funksionale të sistemit të partive politike, me qëllim avancimin dhe mbrojtjen e interesave të bashkësisë ligjore-politike përmes mjeteve legjitime demokratike.
Në përmbyllje të deklaratës, Lëvizja Aleanca Kombëtare thekson se vendi duhet të orientohet nga interesi kombëtar shqiptar dhe se ndërtimi i shtetit shqiptar duhet të shërbejë si projekt politik për bashkimin, pavarësimin dhe vetëqeverisjen e shqiptarëve.
Sipas lëvizjes, kjo platformë synon të rikthejë në vëmendje idealet e rilindasve dhe të krijojë themelet për një shtet-komb që mbron interesat e qytetarëve dhe të brezave të ardhshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



