Marrëveshja Xhafaj-Marku, a po krijon një ‘SPAK’ qeveritar?!
(Xhafaj dhe Marku krijojnë ‘SPAK-un’ e tyre. Ja struktura e re që do të veprojë paralel me Krimet e Rënda) se thelbi i saj ishte krijimi i një strukture të posaçme, paralele me prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pak orë më pas, pasi u kthjellua, edhe opozita doli dhe bëri denoncimin e saj të ashpër.
Por, për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë? Çfarë synon me këto struktura të veçanta që do të ngrihen me shpejtësi brenda 5 ditësh Edi Rama, duke shkelur hapur kushtetutën e re të miratuar në kuadër të Reformës në Drejtësi?
Për ta shpjeguar me pak fjalë; Dy delfinët e kryeministrit Marku dhe Xhafaj kanë vendosur krijimin e “seksioneve të posaçme”, për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Marrëveshja parashikon që prokurorët e këtyre seksioneve, të emërohen pas verifikimeve të kryera për ta nga DSIK, ILDKP dhe SHISH, gjitha institucione nën kontrollin e kryeministrit. Por ajo që bie në sy është, se e gjitha kjo do të ndodh brenda 5 ditëve në vazhdim. PPP Marku do të emërojë njerëzit, kurse stafin mbështetës, ambientet dhe sigurinë fizike do ta sigurojë ministri i Brendshëm Xhafaj!
Por e gjithë kjo strukturë e ngritur me shpejtësi, të kujton planin Rama-Tahiri, për Byronë Kombëtare të Hetimit e cila do të ishte edhe fizikisht edhe në varësi, të ministrit të Brendshëm. Projekt ky që u rrëzua pas vetos së opozitës dhe opinionit të Venecias, gjatë rrugës së vështirë deri në votimin e draftit përfundimtar të Reformës.
Gjithashtu këto njësi speciale të ngritura pa asnjë bazë ligjore, të kujtojnë edhe SPAK-un e famshëm, i cili ende nuk është ngritur si pasojë e bllokimit të KLP-së nga mazhoranca e cila për gati një vit bënte sikur nuk gjente dot kandidat nga Shoqëria Civile, të cilën e kontrollon vetë.
Nuk dihen ende arsyet e vërteta të këtij nxitimi për të krijuar njësi të tilla, por Kushtetuta e re e Shqipërisë e parashikon në mënyrë të qartë ngritjen e Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të quajtur SPAK, dhe atë të njësisë së hetimeve nën varësinë e saj, të njohur ndryshe si Byroja e Hetimit.
SPAK (ai i vërteti që pritet të ngrihet pas krijimit të KLP) i cili do të kryejë misionin që pretendon edhe dyshja Xhafaj-Marku me këto njësi të posaçme që po krijojnë, sipas kushtetutës është krejtësisht i pavarur nga struktura të tjetra të Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Drejtuesit dhe prokurorët e SPAK, emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe pikë!
Më konkretisht në Ligjin për Prokurorinë, në nenin 4, përcaktohet e zeza mbi të bardhë:
Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar…
Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.
Pra e gjithë kjo strukturë paralele që po ngre Xhafaj-Marku do të përplaset në të ardhmen me SPAK (sepse bien ndesh, në çdo aspekt), por do të krijojë problem serioze në hetimin e krimit dhe korrupsionit edhe që tani, pasi i merr kompetencat prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Nëse vazhdojmë me anti kushtetueshmërinë e këtij plani, duhet thënë edhe se; PPP Marku e ka të ndaluar të ndërmarrë ndryshime në strukturën e prokurorisë dhe të bëjë emërime prokurorësh.
Me këtë plan, Rama duket se po gjen një rrugë të ndërmjetme për të marrë nën kontroll të plotë prokurorinë dhe gjithë dosjet e krimit të organizuar dhe ato të korrupsionit, duke përfshirë edhe ato ku Marku deri më tani nuk zgjaste dot dorën, pasi janë nën tagrin e Krimeve të Rënda.
Pas kësaj do të ishte shumë e lehtë për të goditur në mënyrë selektive dhe për të mbyllur të gjitha ato skandale, që prekin kryeministrin dhe shpurën e tij të Rilindjes, apo familjare./syri.net
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



