E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dëgjesa për negociatat me Greqinë, Meta pret deputetët e Komisionit të Jashtëm
Lajme

Dëgjesa për negociatat me Greqinë, Meta pret deputetët e Komisionit të Jashtëm

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur në Presidencë në orën 8:15, deputetët e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit për të zhvilluar dëgjesën e kërkuar prej opozitës lidhur me negociatat që po zhvillohen me Greqinë për çështjen e Kufirit Detar dhe polemikat e hapura së fundmi rreth saj.

Në Presidencë kanë mbërritur njeri pas tjetrit deputetët e mazhorancës dhe opozitës, si Ervin Bushati, Evis Kushi, Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Rudina Hajdari, Klajda Gjosha, Nard Ndoka, Klotilda Bushka.

Reagim i fundit i Presidencës lidhur me negociatat ishte e datës 28 shkurt 2018:

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi i pyetur nga mediat lidhur me përmbajtjen e tre takimeve të Ministrit të Jashtëm Bushati me Presidentin e Republikës Meta, të pretenduar nga zoti Bushati sot gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit sqaron se:

Është e vërtetë që janë zhvilluar tre takime me kërkesën e Ministrit Bushati, posaçërisht në datat 6 tetor 2017, 18 janar 2018 dhe 9 shkurt 2018.

Në takimin e datës 6 tetor vendin kryesor e ka zënë kërkesa e MEPJ për t’i akorduar gradën Diplomatike “Ambasador” Ambasadorit të Shqipërisë në detyrë në Beograd, z. Ilir Boçka, si dhe kërkesa për të pranuar në parim propozimin për të emëruar Ambasador në NATO, z. Igli Hasanaj.

Presidenti i Republikës firmosi menjëherë mbas takimit, atë ditë, dekretin për z. Boçka dhe pranoi në parim kandidaturën e z. Hasanaj, duke kërkuar kohë për verifikimet përkatëse.

Ky takim nuk zgjati më shumë se 15 minuta.

Gjatë takimit të dytë sqarojmë se, z. Bushati çështje kryesore kishte sqarimin për votimin në OKB dhe çështje të përgjithshme të personelit diplomatik jashtë vendit.

Ai shprehu njëkohësisht ndjesën dhe keqardhjen për mos koordinimin e tij me Kryeministrin Rama lidhur me ndryshimin e propozimit për z. Igli Hasanaj nga Ambasador në NATO për në OSBE

Në fund të takimit, zoti Bushati i tha zotit Meta se të nesërmen do të shkonte në Korçë për të takuar zotin Kotzias për të zgjidhur të gjitha çështjet e trashëguara mes dy vendeve.

Zoti Meta e inkurajoi që të vazhdojnë frymën e bashkëpunimit pozitiv si e vetmja rrugë për të dy vendet tona.

Edhe ky takim nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta.

Më datën 9 shkurt është zhvilluar takimi i tretë, përsëri me kërkesën e Ministrit Bushati.

Çështja kryesore e ngritur nga zoti Bushati ishte emergjenca për emërimin e dy Ambasadorëve të rinj në UNESCO dhe në Gjenevë.

Zoti Meta i premtoi se kjo gjë do të ndodhte menjëherë dhe po atë ditë Presidenti Meta firmosi dy dekretet për emërimet e kërkuara nga Ministri Bushati.

Në fund të këtij takimi, zoti Bushati i tha zotit Meta se bisedimet me zotin Kotzias kishin vajtur shumë mirë në përgjithësi dhe i duhej një autorizim për të mbyllur marrëveshjen e detit.

Zoti Meta i bëri të qartë zotit Bushati edhe një herë rëndësinë e madhe që ai i ka kushtuar dhe i kushton marrëdhënieve me Greqinë duke e sqaruar se komunikimi për këtë çështje të rëndësishme do të jetë gjithmonë zyrtar dhe shkresor, ndërsa kërkesa për autorizim të vinte sipas procedurave të përcaktuara qartë nga vendimi i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Ky takim nuk i ka kaluar 10 minutat.

Pavarësisht nga kjo transparencë, lidhur me tre takimet, dëshiroj të konfirmoj edhe një herë qëndrimin e Presidentit të Republikës për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit me Greqinë.

Po kështu, Presidenti Meta mbështet çdo nismë për një marrëveshje të re me Greqinë dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me Qeverinë dhe Parlamentin në mënyrë konstruktive, të përgjegjshme dhe transparente në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të evituar çdo surprizë të pakëndshme në të ardhmen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.