Gazetari:Po nuk e hoqën ndërkombëtarët, për Bashën nuk shqetësohet fare Rama
Rama ka 20 vjet në vendimmarrjet e mëdha, ja kush ia rrezikon postin..
Gazetari Roland Qafoku tha në studion e Syri.net se shqiptarët e meritojnë këtë politikë që kanë, pasi janë ata që i votojmë. “Këta politikanë i votojmë ne, t’i gëzojmë dhe i meritojmë përsa i kemi. Ne kemi votuar dhe vazhdojmë të votojmë më keq sesa më parë.
Më parë kemi pasur deputetë që jepnin mësim në universitetet europiane, ndërsa sot më thoni një emër që ftohet edhe 1 orë në një leksioni”, tha Qafoku. I pyetur nëse është detyrë e Lulzim Bashës bashkimi i të gjitha aseteve të PD-së, Qafoku tha se kreu i kësaj partie, jo vetëm ka për detyrë të bashkojë të gjithë kontribuesit e PD-së, por edhe të bëjë lëvizje që të vlerësohen. “Çadra ishte një gjetje, por zgjidhja që i dha e çoi PD në kuotat më të uleta sesa ishte para ngritjes së çadrës. Qëndroi me Ramën për orë të tëra dhe nuk dihet se për çfarë kanë folur, çfarë bisede është bërë në 4 orët e qëndrimit kokë më kokë mes tyre.
Edhe Berisha me Majkon u takua vite përpara, por të dy deklaruan se çfarë diskutuan në atë kohë. Ndërsa nga takimi Rama-Basha nuk u mor vesh asgjë. Mund të them se Rama ishte i fituari i madh i marrëveshjes me Bashën dhe unë ia kam thënë se ai ia ka parë hajrin politikës. Në 28 vite të pluralizmit, ai ka 20 vjet në politikë dhe madje në vendimarrje të rëndësishme. Ka 5 vjet Kryeministër, 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, Kryetar i PS-së”, tha Qafoku.
Në vijim ai tha se PS pavarësisht se ka tepsinë apo timonin vetëm, Ramën e ka zënë sindroni i mandatit të dytë. “Ramën e kanë zënë disa skandale, të cilat pavarësisht se po përpiqet t’i anashkalojë, asaj që nuk ka çfarë t’i bëjë është ekonomia. Nuk mund të pretendojë sukses rritjen ekonomike me 3.1 %. Premtimet që ka bërë Rama nuk ishin me këmbë në tokë, ndaj nuk arriti t’i realizonte.
Konçensionet dhe kanabizimi i ka shkatërruar të gjitha. Rama premtoi se do të anëtarësonte Shqipërinë brenda 10 vitesh, kanë kaluar 5 vjet nga ky premtim dhe i kanë mbetur edhe 5, ndërkohë që nuk e përmend më as datën, as vitin se kur mund të ketë ndonjë integrim”, tha Qafoku. Ai vlerësoi kapjen e 613 kg kokainë, për të cilën ishte dhënë një garanci që do të vinte në Shqipëri. I pyetur nëse Lulzim Basha mund të rrezikojë Edi Ramën, Qafoku tha se mandati i tij është i sigurtë derisa ndërkombëtarët të veprojnë.
Gazetari tha se ka një lëvizje brenda mazhorancës, duke pasur parasysh mbështetjen dhe suportin që ka Fatmir Xhafaj dhe mendoj se është një njeri i besueshëm për ndërkombëtarët. “Nëse ndërkombëtarët kanë dyshime se Edi Rama nuk përmbush ato që ka premtuar në luftën ndaj krimit, atëherë mund t’i rrezikohet posti. Por që mund të ketë rrezik nga PD apo Basha, mendoj se nuk ka asnjë shans”, tha Qafoku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



