Landfilli Sharrës, 95 familjeve u çohet shkresa e sekuestros, shpronësohen 53 hektarë, me 488 lekë/m2
Aksioni nis në muajin tetor, vlera 322 milionë e 585 mijë lekë të reja, do të likujdohet me këste për 2 vjet
Të firmosura nga Zv/ministri Infrastrukturës Artan Shkreli, mëngjesin e datës 13 gusht 2018, qeveria u ka hedhur “nën derë” ‘fermanin” e shpronësimit të tokave, 95 familjeve të zonës së Sharrës në Tiranë, tokat e të cilëve, gjenden në hartën e sipërfaqes së projektit koncesionar 30-vjeçar, ku firma holandeze “Integrated Energy BV SPV”, do të ndërtojë landfill-incenerator për përpunim-rehabilitimin e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Familjet janë njoftuar, të paraqiten në njësinë e tyre bashkiake, për të dorëzuar dokumentet e pronësisë mbi tokat që do t’u shpronësohen nga shteti, për interesin e biznesit të firmës private koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, me të cilën, qeveria ka bërë pazarin dhe ka lidhur kontratën, qysh para 1 viti.
Ministria e Infrastrukturës, bashkë me njoftimin e shpronësimit, ka publikuaur listën me emrat dhe sipërfaqet konkrete që u shpronësohen, shoqëruar me sipërfaqen totale të shpronësimit që është 537 mijë m2, me çmim 488 lekë/m2, ndërkohë që aksioni i shpronësimit nis në muajin tetor 2018, ndërsa vlera prej 322 milionë e 585 mijë lekë të reja, banorëve do t’u likujdohet me këste për 2 vjet
Kujtojmë, që në muaj të vitit 2016, përpara se të regjistrohej zyrtarisht si një kompani në Holandë, firma “Integrated Energy BV SPV”, paraqiti një propozim të pa kërkuar në Ministrinë e Energjisë dhe pas kësaj kërkese, qeveria vendosi të nisë procedurën e tenderimit për këtë koncesion plehrash.
Në datën 7 dhjetor 2016, qeveria miratoi VKM të posaçme për këtë koncesion, duke i dhënë bonus 8% të pikëve në dispozicion, firmës së paracaktuar prej qeverisë, por 140 milionë euro të këtij koncesioni 30-vjeçar, do të paguhen nga buxheti i Shtetit Shqiptar, në llogarinë e firmës holandeze “Integrated Energy BV SPV”, që thuhet se është maskë, për të fshehur këtë biznes plehrash, pronë e shefave të kupolës së “rilindjes”.
NJOFTIMI/ KËRKESE Nr. 3567/3, datë 10.8.2018 “Për shpronësim publik”
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shpall kërkesën për shpronësim, për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”.
Subjekti kërkues i këtij projekti është shoqëria koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. Me anë të këtij publikimi, kërkojmë të vëmë në dijeni personat të cilët preken nga ky shpronësim, për masën e vlerësimit të llogaritur në bazë të VKM nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, për llogaritjen e vlerës së sipërfaqeve “tokë arë”, për pronarët sipas listës emërore bashkëlidhur.
Vlera totale e shpronësimit është 322 585 280 (treqind e njëzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë) lekë.
Zv/MINISTRI INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË Artan Shkreli/Pamfleti

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



