Gazetarja gjermane e liruar nga Turqia: Do të luftoj për kolegët e mi turq
Gazetarja gjermane, Mesale Tolu, e liruar nga burgu turk gjatë muajit dhjetor, por e ndaluar të largohej nga vendi deri në muajin gusht të këtij viti, tani është kthyer në Gjermani.
Ajo është zotuar se do të vazhdojë të luftojë për kolegët e saj që u burgosën në Turqi pas grushtshtetit të dështuar gjatë vitit 2016, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Tolu ishte akuzuar se kishte qenë anëtare e një organizate terroriste dhe se kishte bërë propagandë terroriste. Ajo ishte një ndër dhjetëra mijëra nëpunës civilë dhe gazetarë të mbajtur nëpër burgjet e Turqisë.
“Unë mund të jem këtu sot, por qindra kolegë, aktivistë të opozitës, avokatë dhe 70,000 studentë që janë në burg – ende nuk janë të lirë”, u kishte thënë ajo gazetarëve pasi që kishte arritur nga Stambolli në Shtutgart.
Marrëdhëniet midis dy partnerëve të NATO-s u përkeqësuan pasi Gjermania dënoi arrestimet e rreth 50,000 vetave dhe pezullimin ose shkarkimin e 150,000 punonjësve në Turqi, duke përfshirë mësuesit, gjyqtarët dhe ushtarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



