Ministrin Ahmetaj e detyron gjykata të paguajë nga xhepi 48 mijë në ditë
Në gjyq nga ish-drejtori, gjykata detyron ministrin Arben Ahmetaj të paguajë nga xhepi çdo ditë 48 mijë lekë
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, prej dy ditësh, po detyrohet të paguajë nga rroga e tij, 48 mijë lekë të vjetra për një ish-drejtor në këtë dikaster. Gjykatës Administrative e ngarkon ministrin Ahmetaj me një gjobë të barabartë me 20% të pagës minimale, në shkallë vendi. Vendimi është marrë nga gjyqtari Gentian Hamiti.
Sipas burimeve, referuar Politiko.al, personi që ka paditur Ministrinë e Financave është shkarkuar nga detyra në vitin 2013-të, kur ky institucion drejtohej nga Shkëlqim Cani, dhe pas betejës ligjore gjykata vendosi se, shkarkimi ishte i paligjshëm duke kërkuar nga Ministria dëmshpërblimin e ish-drejtorit me pagat gjatë kohës që rezulton i papunë dhe rikthimin e tij në të njëjtin pozicion apo në një pozicion të ngjashëm.
Ky vendim nuk është zbatuar nga Ministria e Financave dhe çështja ka përfunduar sërish në gjykatë, por këtë herë trupi gjykues ka ngarkuar me përgjegjësi titullarin e institucionit, Arben Ahmetajn. Duke qenë se dëmshpërblimi nuk ka dalë nga buxheti i Ministrisë, tani do të jetë Ahmetaj që do paguajë nga xhepi detyrimet për ish-drejtorin deri në zbatimin e vendimit të gjykatës.
Ministri Ahmetaj nuk e ka ankimuar në gjykatë këtë vendim, i cili tani ka marrë formën e prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



