A do të jetë Florjan Binaj një “Zelensky” i Shqipërisë?
Kandidatura e Binajt është krahasuar nga shumë me atë të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili erdhi nga bota e humorit për të fituar më pas një mandat të fuqishëm politik.
Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në emisionin “Log.”, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike lidhur me kandidimin e aktorit Florjan Binaj për Bashkinë e Tiranës, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe forca të tjera opozitare.
Kulluri e sheh këtë krahasim si të papërshtatshëm dhe kandidimin si një sinjal të qartë të krizës së thellë që po kalon PD-ja.
“Partia Demokratike nuk po funksionon më si një parti politike në kuptimin klasik të fjalës. Nuk ka interes për zgjedhjet e 9 nëntorit. Është në një pikiatë të rregullt elektorale. Njerëzit qëndrojnë aty vetëm nga inercia, jo për projekte apo ideale të përbashkëta,” u shpreh Kulluri.
Ai ironizoi zgjedhjen e një figure nga bota e artit për të garuar për një pozicion kaq të rëndësishëm, duke vënë në dyshim përgatitjen e Binajt për të drejtuar një bashki si Tirana, me një buxhet vjetor prej 250 milionë eurosh.
“Kur dëgjova Berishën të thoshte se kemi zgjedhur një artist të madh, mendova se ndoshta ishte ngritur nga varri Vaçe Zela, Inva Mula apo Ali Oseku. Me gjithë respektin për Florjan Binajn, këtu nuk bëhet fjalë për një shfaqje kabareje, por për menaxhimin e një prej qyteteve më të mëdha të vendit,” tha ai.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm tek emri i kandidatit, por tek mungesa e reflektimit të opozitës pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit.
“PD humbi me 500 mijë vota dhe askush nuk mban përgjegjësi. Në vend që të analizojnë dështimin dhe të ndërtojnë një strategji të qartë, vijojnë me lojën e ‘kuj t’i ngecë derri’. Kjo nuk është më as politikë, as poker – është thjesht shpërndarje faji.”
Kulluri vlerëson se gara për Bashkinë e Tiranës është më politike se çdo garë tjetër në vend, por, sipas tij, opozita nuk po e trajton me seriozitetin e duhur.
“Kur nga njëra anë kemi një kandidate si Ogerta Manastirliu që pranon se nuk është pyetur fare për kandidimin, dhe nga ana tjetër një emër pa eksperiencë administrative, kjo flet për krizë serioziteti. Florjan Binaj mund të jetë një qytetar i angazhuar, por kjo nuk mjafton për të drejtuar Tiranën.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



