E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A është njeriu Daniel Shima ‘truri’ lojës së pistë tek AKSHI?
Lajme

A është njeriu Daniel Shima ‘truri’ lojës së pistë tek AKSHI?

Dosja e AKSHI-t po shihet nga hetuesit si një prej nyjeve më të mëdha ku dyshohet se janë kanalizuar fonde publike në mënyrë të paligjshme. Sipas burimeve hetimore dhe dokumenteve që po analizohen, skema e dyshuar nuk lidhet vetëm me një drejtim, por shtrihet në disa hallka ku ndiqet gjurma e parave. Ndërkohë që goditja e parë institucionale preku drejtuesen Mirlinda Karçanaj, vëmendja e këtij investigimi zhvendoset tek një tjetër figurë kyçe, e cila për vite me radhë ka firmosur kontrata me vlera dhjetëra milionë euro.

Bëhet fjalë për ish-nëndrejtorin e AKSHI-t, Daniel Shima, një emër që brenda administratës publike u ngjit shpejt në hierarki. Në fillimet e karrierës së tij në administratë, paga mujore ishte modeste, rreth 100 mijë lekë të reja, por pas largimit nga institucioni, pasuria e tij u përfol si e konsiderueshme në euro. Emri i Shimës u bë publik në mënyrë të papritur më 20 gusht 2025, kur ai u raportua i zhdukur.

Denoncimi fillestar u bë nga partnerja e tij, Enkeleda Hysa, e cila deklaroi se kishte marrë një mesazh nga Shima ku ai pretendonte se ishte arrestuar. Verifikimi i menjëhershëm në polici nuk konfirmoi asnjë shoqërim me atë emër. Në të njëjtën ditë, në Komisariatin Nr. 1 u paraqit nëna e tij, e cila deklaroi humbjen e kontakteve me të birin.

Ngjarja krijoi zhurmë për shkak të profilit të tij në administratë dhe rolit të mëparshëm në një institucion kyç. Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, rreth orës 02:00 të datës 21 gusht, Shima u paraqit vetë në komisariat duke deklaruar se ishte larguar me dëshirë dhe se nuk kishte qenë i arrestuar. Episodi u mbyll pa sqarime të plota publike, ndërsa motivet e zhdukjes së përkohshme nuk u bënë kurrë transparente.

Ky episod përkoi në kohë me intensifikimin e hetimeve të SPAK për tenderat dhe kontratat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Shima, i cili për më shumë se katër vite kishte mbajtur rol drejtues në institucion, është marrë në pyetje si person me dijeni për procedurat e prokurimit. Statusi i tij ligjor nuk është bërë publik, por emri i tij shfaqet në disa procedura që janë nën verifikim nga prokurorët.

Interesant mbetet fakti se dëshmia e tij nuk është reflektuar në vendimet për masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të tjerë apo biznesmenëve të përfshirë në çështje. Burime pranë hetimit sugjerojnë se ai mund të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit me prokurorinë për të lehtësuar pozitat e tij. Në qarqet juridike, një hap i tillë shihet si strategji e zakonshme në dosje të ndërlikuara korrupsioni.

Në një intervistë televizive vite më parë, në qershor 2017, Shima u shfaq publikisht si drejtues infrastrukture në AKSHI, duke prezantuar projektet digjitale dhe platformën e-Albania. Ishte dalja e tij e vetme mediatike, pasi më pas ai u tërhoq nga ekspozimi publik. Me rritjen në detyrë dhe emërimin në postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, ai u kthye në një figurë të rezervuar, pothuajse të padukshme për publikun.

Sipas dëshmive të punonjësve aktualë dhe të mëparshëm të institucionit, Shima preferonte të qëndronte larg kamerave dhe aktiviteteve publike. Edhe në evente zyrtare, ai qëndronte në prapaskenë dhe kujdesej që të mos shfaqej në publikime. Megjithatë, në nivel të brendshëm, përshkruhet si një nga personat më influentë në vendimmarrje, veçanërisht në projektet dhe procedurat e prokurimit.

Edhe pse jo gjithmonë firmëtar formal, në praktikë ai konsiderohej si një nga zyrtarët që orientonin proceset. Aktualisht, të paktën 40 procedura prokurimi të ndara në disa linja hetimi përfshijnë kontrata ku Shima ka qenë firmëtar ose vendimmarrës. Këto procedura janë pjesë e hetimeve të zhvilluara nga prokurorët e posaçëm për korrupsion.

Brenda institucionit flitet edhe për një periudhë disa mujore në vitin 2023 kur ai mungoi papritur nga aktiviteti, pa një shpjegim zyrtar. Pas rikthimit, prezenca e tij u shoqërua me masa sigurie personale, përfshirë shoqërim nga truproja, edhe pse funksioni i tij nuk e parashikonte një protokoll të tillë. Kolegët e përshkruajnë si një person të rezervuar dhe supersticioz, me sjellje të veçanta që e bënin figurë enigmatike në institucion.

Sot, hetimet për tenderat e AKSHI-t po përqendrohen tek gjurma e parave dhe mënyra se si janë shpërndarë kontratat publike. Në këtë panoramë, emri i Daniel Shimës përmendet si një hallkë e rëndësishme për të kuptuar mekanizmin e vendimmarrjes dhe rrjedhën e fondeve. Dyshimet e hetuesve shkojnë drejt një skeme të gjerë të qarkullimit dhe pastrimit të parave, me burim korrupsionin në kontrata publike./INSIDE STORY

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.