E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A fshiu Shefi i Laboratorit prova nga telefoni i Ilir Prodës?
Lajme

A fshiu Shefi i Laboratorit prova nga telefoni i Ilir Prodës?

Akuzat e forta nga gaztari

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me hetimet për dosjen e Ergys Agasit, ndërsa në emisionin “Opinion”, gazetari Elvi Fundo ka hedhur akuza të forta për ndërhyrje të dyshuara në prova dhe pajisje elektronike që janë marrë për ekspertizë.

Në një lidhje direkte me gazetarin Blendi Fevziu, Fundo deklaroi se në fokus të hetimit janë edhe persona me funksione të rëndësishme në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas tij, drejtuesi i Laboratorit të Policisë dyshohet se ka ndërhyrë në të dhënat e telefonave të marrë për ekspertizë.

Fundo pretendoi se një prej pajisjeve ku dyshohet se është ndërhyrë lidhet me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas gazetarit, në telefonin e tij është futur një aplikacion që mundëson fshirjen e të dhënave.

“Ka fshirë prova celularësh. Ka marrë telefonin e Prodës dhe ka futur një aplikacion që fshin disa të dhëna”, deklaroi Fundo.

Gazetari vijoi duke thënë se bëhet fjalë për një telefon të sekuestruar nga SPAK, në të cilin, sipas pretendimit të tij, është ndërhyrë përpara se pajisja të dorëzohej për ekspertizë.

Sipas Fundos, personi që kishte në dispozicion pajisjen i ka kërkuar poseduesit të telefonit që ta dorëzonte atë me të dhënat e ndryshuara, ndërsa më pas, sipas tij, ekspertët kanë arritur të rikuperojnë informacionin e fshirë.

“Ka fshirë të dhëna në telefonë për ekspertizë. Në një celular, i cili është sekuestruar nga SPAK, ka futur një aplikacion duke i thënë: dorëzoje telefonin me këto të dhëna. Por më tej do të dalin në ditët në vijim dhe janë rikuperuar të gjitha të dhënat”, u shpreh gazetari.

Fundo la të kuptohet se hetimi mund të sjellë të tjera zhvillime dhe se informacionet e bëra publike deri tani nuk përbëjnë të gjithë panoramën e çështjes.

“Kishte dhe disa portale, kishte dhe disa gazetarë, kishte SHISH-in me vete dhe ishte në rregull”, deklaroi ai, duke iu referuar, sipas tij, një rrjeti më të gjerë personash dhe institucionesh që mund të jenë pjesë e zhvillimeve të hetuara.

Deklaratat e gazetarit vijnë në një moment kur hetimet për dosjen e Ergys Agasit kanë nxjerrë në pah komunikime dhe kontakte me zyrtarë e persona të tjerë të institucioneve shtetërore.

Megjithatë, pretendimet e bëra në studio televizive për ndërhyrje në pajisje elektronike dhe fshirje provash mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente. Nëse rikuperimi i të dhënave të fshira dhe ekspertizat e pajisjeve do të konfirmojnë ndërhyrjet e pretenduara, ato mund të përbëjnë një element të rëndësishëm për vijimin e hetimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.