A ka ardhur koha për një alternativë tjetër politike?
Pyesni një shqiptar për qeverisjen Parlamentit a ndonjë ngjarje politike, edhe padyshim do ta merrni një përgjigje. Por kur e pyet çfarë mendon për rolin e shtetit në ekonomi , ose çfarë mendon për raportin e lirisë individuale kundrejt mirëqenies kolektive, apo a duhet të forcojmë arsimin privat apo të financojmë arsimin publik etj… biseda nuk është më aq entuziaste, madje aty mund mbyllet.
Shqipëria është një vend ku opinioni politik është i bollshëm. Fakti që diskutimet politike janë pjesë e çdo takimi me miqtë apo me familjen është një provë e mjaftueshme se problemi në këtë vend nuk është angazhimi politik. Dyshoj se problemi është kuptimësia politike , edhe fakti që sistemi politik me kast e ka fshirë ideologjinë si bazamentin e të bërit politikë edhe e diskursit politik.
Kur elektorati është i zbrazët nga ideologjia rrjedhimisht edhe politikanët janë të zbrazët nga ajo.
Përshembull megjithëse kundërshtare në fushatën elektorale 2025, Zeqineja nga Jola ndryshojnë tanimë vetëm nga flokët.
Analiza pse ndryshimi i dy politikaneve të reja janë vetëm flokët , duhet të fillojë pikërisht tek fakti që në thelb ne kemi një elektorat që nuk i kërkon as Zeqinesë as Jolës e as kujdo tjetër, të shpjegohen mbi ideologjinë ku i bazojnë ato që pretendojnë edhe proklamojnë .
Një politikan që ndërton karrierën politike mbi bindjet ideologjike, e ka përcaktuar njëherë përkatësinë. Një politikan që e ndërton karrierën vetëm për pushtet mund të atashohet kudo që ndodh që t’i japin pushtet .
Sot konsiderohet normale që edhe me njerëzit që merren aktivisht me politikë të jetë pa interes diskutimi i ideologjisë politike . Edhe pse duket një neutralitet i padëmshëm, kjo është pika e rrezikut. Pasi refuzon të njohësh e përcaktosh se ku beson ideologjikisht, diçka tjetër do ta mbushë boshllëkun, edhe pikërisht çfarë e ka zënë vendin e lënë bosh nga ideologjia e ka bërë politikën të dëmshme edhe të urryer .
Vini re që në mungesë të ideologjisë , gjithnjë e më shumë, politika vërtitet rreth udhëheqësve individualë dhe personalitetit të tyre, karizmës së tyre, forcës apo dobësisë së tyre , dëmeve që ata kanë sjellë në politikë ekonomi edhe shoqëri , apo avantazhit se janë të rinj të paprovuar .
Boshllëku i krijuar nga analfabetizmi ideologjik mbushet kështu nga çdo gjë që është më e zhurmshme dhe më e thjeshtë për t’u ndjekur.
Kjo është arsyeja pse shoqëritë mendërisht të zbrazëta nga ideologjia janë kaq të rehatshme për të manipuluar nga populistët, edhe në këto mjedise dhe opozitat nuk e dinë se çfarë mbrojnë.
Ndërsa mesazhet e protestës janë të qarta, “partitë ekzistuese janë të gjitha të kompromentuara në të njëjtën mënyrë” zgjidhja e vetme kërkohet tek krijimi i një partie të re të paprekur nga këto zakone, me njerëz të pakompromentuar.
Njerëzit bëjnë thirrje për një krijimin e një alternative të pastër , duke supozuar se kërkesa e tyre është e mjaftueshme për të nxitur ofertën që e përmbushë atë . Por kërkesa, për një partie të re , anashkalon pyetjen më të rëndësishme: a ekziston aktualisht mjedisi që diçka e tillë të shfaqet dhe të mbijetojë?
Në Shqipëri është provuar se dominimi elektoral, pasi është vendosur, është jashtëzakonisht kokëfortë për t’u ndryshuar; partia në pushtet ka një infrastrukturë organizative, rrjete patronazhistësh të shtrirë në çdo qelizë të shoqërisë; financimi i fushatave në Shqipëri favorizon në mënyrë dërrmuese partitë e konsoliduara dhe ky hendek vetëm është zgjeruar; Qasja në media e çon pamundësinë një hap më tej. Një parti e re, ka një mbulim të papërfillshëm krahasuar me një parti ekzistuese.
Për më tepër një mjedis fertil për lindjen e alternative tjetër ka nevojë për organizata të shoqërisë civile që të organizohen pa frikën e humbjes së privilegjeve.
Kur i gjithë sistemi politik funksionon si industri duopolistike, ku barrierat e hyrjes janë shumë të larta , a mjafton vetëm pakënaqësia, lodhja edhe irritimi nga keqqeverisja që të kemi një alternativë qeverisëse të ndryshme ?
Aq më tepër në prani të analfabetizmit ideologjik, çfarë mund ta bind qytetarin se partia apo lëvizja e re apo është një alternativa e duhur e ndryshme nga ekzistueset?
Një elektorat i pakënaqur , nuk do të thotë domosdoshmërisht një elektorat i gatshëm për një alternativë të ndryshme. Një elektorat I pakënaqur , por ideologjikisht analfabet , mund të rrezojë një qeveri , por nuk është i aftë të ushtrojë presionin e nevojshëm për një qasje ndryshe .
Ndaj çdo pyetjes se kur është momenti që disa burra e gra të mençur të bëhen bashkë për të ofruar një alternativë të re politike u përgjigjem:
” ditën që do të pyesni një 18 vjeçar se në cilën ideologji politike beson , dhe përgjigja që do të merrni është e qartë edhe i toni i vendosur, ka ardhur koha për një alternativë tjetër politike!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



