A po hakmerret Edi Rama si Konti i Monte- Kristos ndaj personazheve që ka sharë tek Kurbani?
72 vjeçari Dine Fratari, nuk priste që pasditen e 24 tetorit të përfundonte atje ku kish qenë 27 vjet më parë. Policia i vuri prangat, ndërsa ai i shkoi pranë objektit që po ndërtonte për të folur me inspektorët e INUK. Ish i burgosur politik, i arrestuar në vitin 1980 dhe i dënuar me 20 vjet burg, Fratari vuajti për 7 vjet në burgjet e komunizmit. Sot, ai gjendet në qelitë e komisariatit nr 1, në pritje të masës së sigurisë që do të caktojë gjykata. Pikëpyetjet e këtij arrestimi ishin të shumta.
Pse duhej të vihej në pranga një njeri i moshuar, ndërkohë që dhjetra ndërtues të tjerë arrogantë vazhdojnë të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin kudo në Shqipëri? A ishte kjo masë ekstreme e duhura për të penguar një ndërtim? Dyshimet shtohen pasi vetë ndërtuesi ka treguar se ai kishte shkuar në objekt i thirrur nga punëtorët e tij pas mbërritjes atje të inspektorëve të INUK që do të ekzekutonin një vendim pezullimi.
Sipas Fratarit, në objekt nuk po punohej dhe ai, ndonëse nuk ka kundërshtuar, është arrestuar nga policia që shoqëronte INUK. Fratari thotë se ka qenë në pritje të rinovimit të lejes nga komuna e Farkës, pra se formalisht objekti e kishte një leje dhe rinovimi ishte thjesht një procedurë. Atëherë përse ky arrestim i bujshëm?
Për ata që nuk e mbajnë mend, Dine Fratari ishte biznesmeni që 7 vjet më parë pati akuzuar publikisht Edi Ramën se i kishte kërkuar 1 milion dollarë në këmbin të një leje ndërtimi. Për vetë Fratarin nuk ka dyshim që arrestimi i tij ka lidhje me akuzat që ai i ka bërë dikur Edi Ramës.
Me siguri që kryeministri Rama nuk i ka harruar ato akuza. Arrestimi i Fratarit u shtohet dyshimeve që sa vinë e forcohen se Edi Rama nuk i ka kaluar lëndimet personale gjatë kohës që ishte në opozitë. Të shumtë janë ata që mendojnë se Rama po vepron sipas një plani hakmarrje personale ndaj gjithë kundërshtarëve të tij të dikurshëm. Por kush dhe sa janë ata?
Veprimet e deritanishme anojnë nga ideja se kryeministri është i përfshirë personalisht në shumë raste ndëshkimi si ky i Dine Fratarit. Madje si platformë e kësaj “liste hakmarrje” mund të lexohet libri i tij Kurban, ku figurojnë një pjesë e mirë e atyre që po ndëshkohen sot. Ekzistenca e një libri, ka bërë që herëpashere, ndëshkimet e kryeministrit të krahasohen me ato të Kontit të Monte- Kristos të Dymasë, të konsiderohen si motiv i një hakmarrjeje personale.
Dine Fratari është një nga perosnazhet e Kurbanit. Ja çfarë shkruan Rama në libër për ngjarjen e asaj kohë:
“Kur nisën të shpeshtoheshin tamtamët e propagandës për ekzistencën e një sistemi korrupsioni me lejet e ndërtimit, duke më treguar me gisht përditë si gllabërues përqindjesh për metër katror nga çdo leje e nxjerrë prej Bashkisë së Tiranës, në fillim 10 përqind, pastaj 15 përqind, në fund kapën 20 përqind, baltë ngjitëse në mjedisin tonë të përbaltur, që pavarësisht gjithë përpjekjeve tona për të provuar të kundërtën, nuk m’u nda deri në fund, e pata humbur toruan në pikën që gjatë një takimi publik me kompanitë e ndërtimit lëshova para kamerave klithjen e dëshpëruar: “Nuk ka në këtë qytet asnjë bir nëne e as ndonjë bir kurve që të ketë qoftë edhe 20 qindarka të vetat në xhepin tim!”…
Në këtë takim të vitit 2007, në hotel Tirana, në sallë ishte edhe një ndërtues i njohur në qytet.
Dine Fratari, njeriu që e kishte akuzuar Edi Ramën se në këmbim të lejeve të ndërtimit në Tiranë, i kishte kërkuar 1 milion dollarë rryshfet. “Klithma e dëshpëruar” e Edi Ramës atëherë është dëgjuar deri sot. Pas 7 vitesh, pasditen e e të premtes së 24 tetorit, INUK, që tashmë është në varësinë direkte të ministrisë së Brendshme, i kërkoi policisë arrestimin e Dine Fratarit, 72 vjeçar, nën akuzën e ndërtimit pa leje.
Fratari nuk është i pari dhe mesa duket as i fundit i “listës”. Përpara tij, ndëshkimi ra edhe mbi Ardian Fullanin. Familja Fullani përmendet gjithashtu në Kurban, kur Edi Rama me revoltë të dukshme, shkruan për gruan e tij, gjykatëse e Gjykatës së Lartë:
“S’do ta kisha përmendur emrin e Arianës, nëse s’do të ishte në mes miqësia e saj me nënën time, miqësia jonë e vjetër familjare me familjen Fullani, fakt që e bëri edhe më tronditës për time ëmë dhunimin në sallën e gjyqit, ku zonja Fullani, për arsyet që ajo i di, po që s’është e vështirë të merren me mend në këtë vend, zgjodhi të bënte një padrejtësi të madhe duke fyer ligjin dhe moralin kushtetues në barazinë para ligjit në gjykimin e një çështje që kishte vënë përballë arrogancën e xhindosur të pushtetit me brishtësinë e një gruaje 71 vjeçare që kërkonte me krenari mbrapsht vetëm dinjitetin e rrëmbyer peng nga ekrani faqe gjithë shqiptarëve.
Në mungesë të këllqeve për të marrë anën e ligjit, mundet fare mirë t’ia kishte kursyer vetes këtë turp gjykatësja e lartë, duke u tërhequr së paku me pretendimin e konfliktit të interesit, pikërisht për shkak të lidhjes në miqësi me Anetën…”
E këtë mostërheqje të gjykatëses, Edi Rama nuk ka lënë pa e regjistruar. Me logjikën “do të ta bëj më keq se ç’ma bëre”, Rama kryeministër gjithashtu e harroi miqësinë familjare dhe i shkoi deri në fund hakmarrjes. Nuk u mjaftua thjesht me shkarkimin e Adrian Fullanit si guvernator, por i la të kuptohej qartë një prokurorie të ofruar për vetëshërbim, t’i shkonte në ekstrem masës së sigurimit.
Po nëpërmjet ekranit, nga ku dikur u cënua nëna e tij, policiët e Saimir Tahirit shfaqën nëpërmjet kamerave arrestimin e një guvernatori që deri në atë kohë nuk ishte thirrur asnjëherë të vetme në prokurori. Pavarësisht vendimit që do të japin gjykatat më vonë, pamjet e guvernatorit në pranga, i kanë dhënë dozën qetësuese të radhës kryeministrit të “Kurbanit”. Në listën e gjatë “të armiqve” të shpallur në libër, është vënë një kryq.
Një kryq tentoi t’i vinte kryeministri Rama edhe Arben Imamit, gjithashtu një nga njerëzit kryesorë në “listën e Kurbanit”. Pa hyrë mirë në zyrën e shefit të qeverisë, Rama detyroi një grua, ministren e Mbrojtjes, që punë të parë në këtë ministri të kishte dosjen e akuzave ndaj paraardhësit të saj.
Ndonëse jo në profilin e saj, Mimi Kodheli, nuk mundi të mos përfshihej në betejën e kryeministrit për kurbanin e radhës. Dhjetra akuza dhe një lumë sulmesh ndaj Imamit për t’i imponuar prokurisë ngritjen e akuzës dhe marrjen si të pandehur të Imamit. Vetë kryeministri, në një rast të paprecedent, bëri thirrje në profilin e tij në facebook: “Të ndëshkohet Arben Imami”. Madje edhe kur prokuroria i rrëzoi akuzat e para, Edi Rama nuk u tërhoq duke i kërkuar ministres së tij të niste denoncimin për një tjetër çështje. Në dhjetor 2013, Imami do të deklaronte: “Të gjitha akuzat ranë. E vetmja gjë që nuk ra dhe nuk mund të bjerë është vendimi i një njeriu të çmendur, për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale për deklaratat e mia publike për 21 janarin”.
Dhe ashtu ndodhi. Edhe sot ndjekja e kryeministrit ndaj Arben Imamit vazhdon.
Qëndrimin për 21 janarin, e shprehur kjo edhe në librin Kurban, Edi Rama nuk ua fali as atyre personave publikë që dënuan dhunën e opozitës së drejtuar nga kryetari i saj. Zhani Ciko ishte i pari që iu vu kryq në “listën e Kurbanit”. Disa muaj më vonë, Aurel Plasari, i cili publikisht në emisionin Opinion e pati konsideruar 21 janarin si një përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë, u shkarkua si drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ish miku i dikurshëm, tashmë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, gjithashtu u shënua me kryq në fletën e hakmarrjes.
“Lista e Kurbanit” nuk mbyllet këtu dhe as me këta emra. Këta ndoshta janë më të dukshmit, por të tjerë mund të jenë bërë ndërkohë “viktima” të rikthimit me fuqi të plota të Edi Ramës. Shumë të tjerë, që tashmë janë shpallur në paltformën e Kurbanit, presin se deri ku do të shkojë hakmarrja e një njeriu që e ka të vështirë të ndajë ndëshkimin ligjor nga hakmarrja personale.
Ndoshta për këtë arsye, në disa raste, udhëtimi hakmarrës i kryeministrit, është krahasuar me atë të Edmond Dantesit, heroit të librit të Aleksandër Dymas, Konti i Monte-Kristos. Ashtu si Dantesi, që përgatiti më parë planin e tij nga faktet që i rrëfeu abati Faria, ashtu edhe Edi Rama shkroi Kurbanin, si një platformë të hakmarrjes në rast se do të fitonte.
E nëse Konti i Monte- Kristos ishte i vetëm në hakmarrjen e tij, Edi Rama ka në dorë mekanizmat e shtetit për të “vendosur drejtësinë e tij”. Krahasimi ndoshta bëhet më shumë për të theksuar ndikim personal të kryeministrit në rastet që u përmendën më lart dhe afrimi me përrallën romantike të Dymasit për t’i dhënë ngjyrimin që çdo “rikthim hakmarrës” mbart brenda vetes.
E këtë krahasim, nuk mungojnë zërat që e hedhin poshtë. AnalistiArtur Zheji do të shkruante rreth një muaj më parë në gazetën Mapo se ky krahasim ngjan më shumë me një teori konspirative. “Edmond Dantesi, sot Konti i Montekristos apo Edi, sot Kryeministri Rama, thotë teoria konspirative, ka në thellësi të shpirtit të vet një plan hakmarrës ndaj atyre që e kanë sharë dhe plagosur shpirt e trup. Rama pra, simbas kësaj teorie, familjen Fullani e paska në listën e keqbërësve që duhen ndëshkuar. Ashtu si përshembull Dantesi, u kthye në Paris për të shfarosur të gjithë ish komplotistët e tij, që i shkatërruan rininë dhe e futën në burg të rëndë dhe të padrejtë.
Autorët e kësaj teorie, që militojnë në radhët e kundërshtarëve politikë të Ramës, kanë hapur kështu fjalë gjithandej, që të rilexohet me laps në dorë libri: Kurbani, i Edit, sepse aty, në atë libër, paskemi në të vërtetë jo thjesht një libër, porse një traktat, ku parashkruhet ajo që do të ndodhë. Hakmarrja!”, shkruan Zheji dhe vazhdon:
“Dhe ka plot syresh që, gjykuar nga mënyra se si po veprojnë dhe se si shihen të pushtuar nga ankthet, dalin ekraneve, ende të përqendruar në rileximin e “Kurbanit”, që e interpretojnë si të ishte një strategji e vërtetë e një beteje të vërtetë. A do të ketë arrestime të tjera? Të këtij niveli, apo të një niveli më të lartë? Unë nuk mendoj se kjo zgjidhet duke lexuar librin e Ramës alias Edmond Dantesi, alias Konti i Montekristos.
Prokuroria nuk duket se deri më tash ka dhënë shenja që impresionohet nga romane apo libra të tillë”, hedh poshtë kështu Zheji krahasimin e dy hakmarrjeve. Sipas tij, “armiqtë e Ramës gabojnë duke e krahasuar me një pothuajse hero. Duke i bërë vetes një gropë komunikative dhe kundërshtarit, një piedestal të dhuruar. Në fakt Dantes është një hero romani, ndërsa Edi Rama edhe hero edhe autor i librit të tij “Kurbani”. Lista vazhdon…lapsi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



