Abuzimi i Derrit pa kontratë, në rikonstruksionin e gjimnazit në Has

Tenderi për T&J Construction, punimet i bën Uran Derri, nipi i kryebashkiakut Myftar Dauti
Një investigim i realizuar nga Publik.al ka zbuluar një nga rastet më flagrante të shkeljeve në përdorimin e fondeve publike në Bashkinë Has. Tenderi për rikonstruksionin e gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë, me vlerë 94.5 milionë lekë pa TVSH, është fituar në letër nga T&J Construction shpk, por punimet në terren po kryhen nga Uran Derri, nipi i kryetarit të Bashkisë Has, Myftar Dauti.
Tenderi dhe kompanitë në letër
- Autoritet kontraktor: Bashkia Has
- Objekti: Rikonstruksioni i gjimnazit “Skënderbeu”, Krumë
- Vlera e kontratës: 94,500,000 lekë pa TVSH
- Afati i punimeve: 12 muaj
- Fitues: T&J Construction shpk dhe Viante Construction
- Mbikëqyrës: SIRE-ALB & ZED shpk
Kompania T&J Construction, e krijuar në nëntor 2022 nga Julian Manahasa ish-zyrtar i lartë në Bashkinë Peqin rezulton me kapital vetëm 100 mijë lekë dhe aktivitet të gjerë, që përfshin ndërtim, tregti dhe shërbime të ndryshme.
Megjithëse formalisht figuron si fituese, në realitet nuk ka asnjë punëtor në objekt dhe asnjë kontratë të ligjshme për nënkontraktim të punimeve.

Zbatimi real nga Uran Derri
Gazetari i Publik.al ka verifikuar në terren dhe pranë Bashkisë Has se punimet kryhen nga Uran Derri, i cili nuk është palë kontraktuale, nuk ka punëtorë të siguruar dhe nuk ka njoftuar ligjërisht organet tatimore për marrjen e punimeve.
Në praktikë, Derri po vepron në emër të firmës fituese, vetëm për të përfituar fondin publik, ndërkohë që punimet janë jashtë çdo standardi teknik dhe në kundërshtim me projektin formal.
Kush është Uran Derri nga Has?
Uran Derri, është nipi i Myftar Dautit, aktualisht kryetar i Bashkisë Has.
Emri i tij është përmendur në disa raste të dyshimta për abuzime me tendera publikë, përfshirë edhe skandalin e fundit të rikonstruksionit të gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë, ku punimet po kryhen drejt nga ai, edhe pse tenderi është fituar në letër nga kompania T&J Construction shpk.
Në terren, Derri është parë të menaxhojë punimet me persona pa kontrata pune, pa sigurime dhe jashtë çdo procedure ligjore, duke u përfshirë kështu në një tjetër model të klientelizmit dhe përfitimit familjar nga fondet publike.
Në të njëjtën kohë, Uran Derri shfaqet si ortak në disa biznese në Tiranë e jug të vendit një paradoks i pasurisë së papërputhshme me të ardhurat e deklaruara, që tregon për një rrjet të ndërlidhur midis korrupsionit lokal dhe pastrimit të parave përmes sektorit të shërbimeve.
Në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Uran Derri rezulton si ortak në disa kompani, mes tyre:
- Bio Trade Albania (tregti e produkteve ushqimore, kozmetike, tekstile)
- Nona (bar-kafe, restorant)
- Mr Potato / Grand Mr Potato (fast food në Tiranë)
- Expert Physiotherapy
- GAEA Hotels & Resorts dhe Sea Serenade Saranda (shërbime hotelerie)
Ky rrjet aktivitetesh, i shpërndarë në disa fusha dhe qytete, tregon për një model tipik të kamuflimit të përfitimeve përmes bizneseve të vogla të regjistruara në emër të të afërmve të funksionarëve publikë.
Gjetjet në terren: Punime fiktive dhe cilësi minimale
Krahasimi mes preventivit të tenderit dhe punimeve reale në objekt tregon mospërputhje të mëdha:
- Çatia – Sipas projektit duhej zëvendësuar plotësisht, por janë ndërruar vetëm disa tjegulla, ndërsa të tjerat janë thjesht larë dhe lyer.
- Suvatimi – Nuk është kryer asnjë prishje apo riveshje, siç parashikohej në projekt.
- Dyshemeja – Parashikohej nivelim me lluster cimento, por është lënë në gjendje të papërfunduar.
- Polisteroli – Është përdorur material i bardhë me cilësi të ulët, ndryshe nga specifikimet teknike të tenderit. Palestra nuk është prekur fare si zë.
Punimet e deritanishme janë realizuar pa standarde inxhinierike dhe në mungesë totale të mbikëqyrjes nga SIRE-ALB dhe ZED shpk, kompanitë e caktuara për kontrollin teknik.
Dyshime për konflikt interesi dhe përfitim familjar
Fakti që nip i kryetarit të Bashkisë Has, Uran Derri, është në terren duke kryer punimet, ndërsa firma fituese T&J Construction shërben vetëm si mbulesë ligjore, ngre dyshime të forta për konflikt interesi, favorizim dhe abuzim me fondet publike.
Ky rast tregon një praktikë të njohur në shumë bashki: tenderat fitohen nga kompani “në letër”, ndërsa punimet zbatohen nga persona të lidhur me pushtetin vendor, duke rritur koston reale dhe ulur cilësinë e investimit.
Faktet tregojnë se punimet nuk përputhen me projektin e miratuar, duke ngritur dyshime mbi:b759b747-6808-44c8-9eee-a7dc8568a276

- Cilësinë e mbikëqyrjes nga SIRE-ALB dhe ZED sh.p.k.
- Efektivitetin e kontrollit të fondeve publike nga Bashkia Has.

Kryetari i bashkisë Has, Myftar Dauti
Çfarë kërkohet nga institucionet
Publik.al i u ka nisur shkresë informuese institucioneve për hetim të menjëhershëm:
- Kontrollit të Lartë të Shtetit
- Bashkisë Has: të publikojë raportet e mbikëqyrjes, procesverbalet e pranimit dhe pagesat ndaj operatorit.
Rasti i rikonstruksionit të gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë është shembulli më i qartë i mënyrës sesi fondet publike devijohen drejt interesave familjare dhe klienteliste, nën maskën e procedurave ligjore.
Në letër, tenderi duket korrekt. Në realitet, ai është një skemë për përfitime të afërta me pushtetin lokal, ku humbës i vetëm mbetet qytetari i Hasit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



