E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aeroporti i Vlorës, fatura ‘e kripur’ që rrezikon Shqipëria në arbitrazh
Lajme

Aeroporti i Vlorës, fatura ‘e kripur’ që rrezikon Shqipëria në arbitrazh

Behgjet Pacolli paralajmëron përballje në arbitrazh

Çështja e Aeroportit të Vlorës po shkon drejt një përplasjeje të fortë ligjore që mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, duke ekspozuar Shqipërinë ndaj një dëmshpërblimi potencialisht shumë të lartë.

Sipas të dhënave dhe pretendimeve financiare të projektit, kompania koncesionare MABCO Constructions SA ka investuar mbi 320 milionë euro në ndërtimin e aeroportit. Kjo shumë konsiderohet baza minimale e pretendimit në një proces arbitrazhi.

Megjithatë, rreziku real financiar është edhe më i madh. Sipas planit të biznesit, aeroporti pritej të gjeneronte rreth 720 milionë euro të ardhura gjatë 35 viteve operim. Në një skenar arbitrazhi, këto të ardhura mund të përfshihen si fitim i munguar.

Duke kombinuar investimin e kryer dhe fitimin e pritshëm, Shqipëria rrezikon një faturë që mund të arrijë deri në rreth 1 miliard euro, në varësi të vendimit të trupit arbitral dhe pranimit të pretendimeve të investitorit.

Situata është përshkallëzuar pas nisjes së procedurave për zgjidhjen e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa nga ana tjetër investitori ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë publik qëndrimin e tij, duke e konsideruar procesin si një hap që e çon drejtpërdrejt çështjen drejt arbitrazhit dhe që, sipas tij, do të ketë pasoja të rënda për financat publike.

Reagimi i plotë i Pacollit

Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Deri në këtë moment, MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Autoriteti Kontraktor. Për një investim strategjik me rëndësi kombëtare, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet shtetërore.

Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale. Fatkeqësisht, përballë papërgjegjshmërisë, heshtjes dhe veprimeve të paligjshme të disa përfaqësuesve shtetërorë, çdo mundësi për zgjidhje është mbyllur.

Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të kundërligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të ndikuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit.

Nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë faturën e neglizhencës, papërgjegjshmërisë dhe vendimeve të paligjshme të zyrtarëve që sot vazhdojnë të sillen me indiferencë, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi personale. Dëmin nuk e paguajnë ata, por qytetarët shqiptarë dhe biznesi.

MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroportit.

Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, grupe që veprojnë në mënyrë arbitrare dhe jashtë ligjit, me mbështetje ose tolerim institucional, penguan MABCO-n të hynte në kantier dhe të përfundonte projektin. Për muaj të tërë, në prani të Policisë së Shtetit, investitori u mbajt jashtë pronës së tij, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan, u shkatërruan dhe një pjesë edhe u vodhën.

Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër kërkojnë ta përdorin këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës.

Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë dhe me parimin universal të së drejtës se askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme.

Nëse procedura konfirmohet, MABCO do të mbrojë të drejtat e saj me të gjitha mjetet juridike, përfshirë provat dhe faktet qe posedon kunder seicilit qe ka shkaktuar këtë skandal të turpshëm e deri të ARBITRAZHI tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.

Ky nuk është një kërcënim. Është pasoja juridike e veprimeve joligjore dhe mosveprimeve të papërgjegjshme të përfaqesuesve të institucioneve shtetërore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.