Aeroporti i Vlorës, Gjykata bllokon sërish Behgjet Pacollin
Nuk ka ndryshim të Administratorit
Përplasja mes ortakëve të kompanisë që po ndërton Aeroportin e Vlorës vijon të prodhojë zhvillime të reja në gjykata. Vetëm pak ditë pasi një vendim i Gjykatës së Lartë u konsiderua si një fitore ligjore për biznesmenin Behgjet Pacolli, një tjetër ndërhyrje e sistemit gjyqësor ka prekur aktivitetin e shoqërisë VIA Vlora International Airport.
Të mërkurën është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i cili vendos masa sigurimi mbi kompaninë deri në përfundimin e procesit gjyqësor me vendim të formës së prerë.
Sipas dokumentit të depozituar në QKB, gjykata ka pranuar kërkesën për ruajtjen e gjendjes ekzistuese juridike, korporative dhe administrative të shoqërisë VIA sh.p.k. deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes.
Vendimi ndalon çdo veprim apo vendimmarrje që mund të ndryshojë raportin aktual të pronësisë së kuotave, i cili sipas kontratës së shitblerjes së datës 3 prill 2025 parashikon që Mabco Construction SA zotëron 51% të aksioneve, ndërsa 2A Group SHPK 49%.
Po ashtu, është pezulluar mbledhja e Asamblesë së Ortakëve e planifikuar për datën 6 qershor 2026, ndërsa ndalohet shkarkimi i administratorit aktual, Vegim Hoxha, si dhe emërimi i çdo administratori tjetër deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Masa e sigurisë përfshin gjithashtu pezullimin e çdo vendimi për ndryshime statutore, kontrata huaje, ndryshime në organet drejtuese apo njohjen e kontratave të reja që nuk janë miratuar më parë nga kompania. Gjykata ka detyruar ortakun Mabco Construction SA të ruajë të pandryshuar statusin juridik dhe administrativ të shoqërisë deri në një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, media ekonomike ka raportuar se ekzistojnë shqetësime lidhur me strukturën financiare të projektit, duke ngritur dyshime se aksionet e lidhura me aeroportin mund të jenë përdorur si garanci pranë një fondi investimesh. Këto pretendime mbeten pjesë e debatit publik dhe nuk janë konfirmuar nga një vendim gjyqësor përfundimtar.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



