Aeroporti i Vlorës kthehet në “arenë lufte”, reagojnë VIA dhe MABCO
Vlora International Airport mohon konfliktin
Kompania e Pacollit flet për pengim të paligjshëm të punimeve
Raportimet për një konflikt mes ortakëve të projektit të Aeroportit të Vlorës kanë sjellë reagime të forta nga palët e përfshira, të cilat japin versione të ndryshme për situatën në kantier.
Nga njëra anë, shoqëria koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. ka përgënjeshtruar lajmet për përplasje mes aksionerëve, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për konflikt, por për një çështje kontraktuale.
Sipas reagimit zyrtar, ndërprerja e bashkëpunimit lidhet me mosrespektimin e afateve nga një kontraktor:
“Kontraktori në fjalë ka rezultuar në vonesë të konsiderueshme për përmbushjen e detyrimeve të tij, në shkelje të afateve të përcaktuara kontraktualisht. Për këtë arsye, shoqëria aksionare ka ndërprerë marrëdhënien kontraktuale me këtë kontraktor, në përputhje me kushtet e kontratës dhe detyrimet përkatëse.”
Megjithatë, situata paraqitet ndryshe nga kompania Mabco Constructions S.A., e lidhur me biznesmenin Ismet Pacolli, e cila pretendon se po përballet me pengesa të paligjshme në vijimin e punimeve.
Sipas kësaj kompanie, punonjësit e saj janë ndaluar fizikisht të hyjnë në kantier, pavarësisht se ajo deklaron se është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave dhe investitori kryesor i projektit.
Reagimi i plotë i Mabco Constructions S.A.
Sot, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, po zhvillohet një situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme dhe në kufijtë e veprimeve penale të dënueshme.
Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., si dhe të nënkontraktorëve të saj, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ndërtuar dhe ngritur.
Mabco Constructions S.A. është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitori kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte.
Ky pengim i njëanshëm dhe i paligjshëm po kryhet nga persona që veprojnë në emër të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., nën drejtimin e një administratori, z. Vegim Hoxha, emërimi i të cilit aktualisht është objekt shqyrtimi gjyqësor.
Mabco Constructions S.A. ka kontestuar kategorikisht çdo pretendim për “zgjidhje kontrate” dhe e konsideron atë një akt të paligjshëm, të kryer nga një administrator pa autoritet të ligjshëm.
Çdo veprim i ndërmarrë nga pala me 2% të kuotave apo nga persona të emëruar prej saj në mënyrë të paligjshme, që synon përjashtimin e ortakut mazhoritar 98% nga kantieri, përbën një cenim të rëndë të të drejtave të tij si ortak, investitor dhe garantues financiar i projektit koncesionar.
Ekipi ynë ligjor ka njoftuar që prej ditës së premte dhe sërish gjatë ditës së sotme:
Prokurorinë e Vlorës;
Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë;
Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues;
duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e rendit publik, ligjit dhe integritetit të Kontratës së Koncesionit.Kjo situatë po rrezikon seriozisht: sigurinë dhe rendin publik në kantier; vijimësinë e punimeve për certifikimin dhe hapjen e aeroportit; investimin e madh zviceran dhe interesin kombëtar të projektit.
Mabco Constructions S.A. u bën thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë pa vonesë për të garantuar aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve tanë në kantier, në përputhje me ligjin dhe kontratën koncesionare.
Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha të drejtat e saj ligjore, civile dhe penale ndaj çdo personi apo subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin publik.
Situata mbetet e paqartë dhe me dy narrativa të kundërta: nga njëra anë një vendim kontraktual sipas VIA-s, dhe nga ana tjetër akuza për ndërhyrje të paligjshme dhe pengim të punimeve nga Mabco. Zhvillimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë ndikimin që kjo përplasje mund të ketë në vijimësinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



