E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aferat e Ballukut dhe ‘misteri’ i kasafortës së Peleshit
Politikë

Aferat e Ballukut dhe ‘misteri’ i kasafortës së Peleshit

Dokumenti i vetëm që është bërë publik deri tani me firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe që i është përcjellë Kuvendit, lidhet me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Megjithatë, përtej këtij akti, zbulohet se SPAK i ka dorëzuar Kryesisë së Kuvendit edhe një relacion të detajuar, të shoqëruar me prova konkrete, të depozituara në një USB, të klasifikuara si “sekret hetimor”.

Lidhur me këto materiale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se anëtarëve të Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren, i cili pritet të mblidhet të premten, nuk u janë vënë në dispozicion provat e dorëzuara nga SPAK. Sipas tij, dokumentacioni është bllokuar nga shumica.

“Niko Peleshi i ka futur provat në kasafortë dhe po ua mohon deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit për verifikimin e mandateve”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër në media raportohet se njërit prej drejtueseve të administratës së Kuvendit, i është dërguar një mesazh, drejtuar të gjithë anëtarëve të Këshillit, ku thuhet: “Të nderuar anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ju lutemi të paraqiteni pranë sekretarisë për të tërhequr dokumentet”.

Pavarësisht këtij njoftimi, përfaqësuesit e opozitës këmbëngulin se materialet hetimore nuk u janë vënë realisht në dispozicion. Kreu i grupit parlamentar të PD-së ka sqaruar se deputetëve u është dhënë vetëm kërkesa për autorizimin e arrestimit dhe dy vendime gjyqësore, ndërsa mungon USB-ja me mbishkrimin “verbatim”, ku pretendohet se ndodhen provat e SPAK ndaj Ballukut.

Më tej raportohet se në Kuvend kanë mbërritur tre dokumente zyrtare: shkresa njoftuese e firmosur nga Altin Dumani, urdhri i arrestit i prokurorit Dritan Prençi dhe një akt shoqërues që përcakton procedurën e trajtimit të provave në Këshillin për Mandatet, Rregulloren dhe Imunitetin.

Zbulohet se relacioni dhe provat shoqëruese janë të aksesueshme për anëtarët e Këshillit në çdo moment, me kusht që ata të nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit për ruajtjen e akteve hetimore të klasifikuara nga Gjykata e Posaçme.

Një tjetër USB me materiale hetimore i është dorëzuar Kuvendit nga SPAK, për të cilën kërkohet njohja nga Këshilli i Mandateve, por pa praninë e zv.kryeministres Belinda Balluku gjatë shqyrtimit.

Në këtë kontekst mbetet për t’u parë qëndrimi i shumicës socialiste përballë kërkesës për arrestimin e numrit dy të qeverisë.

Fillimisht në Këshill pritet të dëgjohen të gjitha palët, përfshirë përfaqësuesit e SPAK dhe vetë zonjën Balluku. Më pas, çështja do të diskutohet brenda strukturave të PS-së, përpara se të merret vendimi përfundimtar, që do t’i paraqitet Kuvendit për votim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.