Agasi-Sota-Birçaj, brenda një dhome qelie në Bradashesh
Si u bashkuan tre emrat e dosjeve të SPAK
Tre biznesmenët dhe personazhet e dosjeve të bujshme janë akomoduar së bashku në burg, ndërsa dëshmia e Orest Sotës hedh dritë mbi marrëdhënien e tij me Ergys Agasin.
Ergys Agasi, një prej emrave të përfshirë në hetimet e fundit të SPAK, është akomoduar në të njëjtën qeli në burgun e Bradasheshit me biznesmenin Orest Sota dhe Orgest Birçajn, pronarin e “Top Seven”.
Të tre ndodhen nën masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe po hetohen për akuza që lidhen me trafikimin e narkotikëve, grupin kriminal, pastrimin e parave dhe korrupsionin.
Sipas të dhënave të siguruara nga gazetari Elton Qyno, tre personazhet janë vendosur në të njëjtin ambient brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Bradashesh. Një rastësi që i ka bashkuar pas hekurave tre emra të njohur të dosjeve që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Orest Sota dhe Orgest Birçaj u arrestuan në qershor të vitit 2026, pasi dyshohen se janë përfshirë në një çështje që lidhet me trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.
Rreth dy muaj më vonë, në të njëjtin ambient të burgut është akomoduar edhe Ergys Agasi, i cili u arrestua në fund të gushtit 2026. Ndaj tij, hetimet e SPAK lidhen me dyshime për korrupsion dhe një skemë të dyshuar për përfitimin e fondeve publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Por përtej faktit se tashmë ndajnë të njëjtin ambient, mes Agasit dhe Orest Sotës ka ekzistuar prej vitesh një njohje dhe marrëdhënie shoqërore.
Këtë e ka përmendur vetë biznesmeni Sota gjatë dëshmisë së tij në SPAK, ku ka folur edhe për ndikimin që, sipas tij, Ergys Agasi kishte fituar në botën e biznesit dhe në raport me pushtetin politik.
Dëshmia e Sotës është një prej pjesëve që hedh dritë mbi mënyrën se si ai e ka njohur Agasin dhe perceptimin që kishte krijuar për pozicionin e tij.
Sota, së bashku me kompanitë e tij dhe ato të familjarëve, është aktiv në sektorin e ndërtimit, veçanërisht në Tiranë. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se emri i Agasit ishte i njohur në treg dhe se ndikimi i tij lidhej edhe me kontaktet që kishte krijuar në fushën e arkitekturës.
“Me shtetasin Ergys Agasi jam njohur për herë të parë diku nga fundi i vitit 2021 fillim i vitit 2022. E kam njohur për arsye se ai filloi të merrte shumë fuqi në treg si biznesmen i fuqishëm me pushtetin. Këtë e kam mësuar nga i gjithë tregu, kishte njohje me arkitektë të ndryshëm të huaj…”, ka deklaruar Orest Sota në SPAK.
Deklarimi i biznesmenit është pjesë e materialeve të hetimit dhe pasqyron perceptimin e tij mbi pozicionin dhe ndikimin që Ergys Agasi kishte krijuar në treg.
Ndërkohë, fakti që Agasi, Sota dhe Birçaj ndodhen tashmë në të njëjtin ambient të burgut i vendos tre emrat në një situatë të pazakontë, pasi secili prej tyre është subjekt i hetimeve të SPAK për dosje me akuza të rënda.
Hetimet ndaj tyre vijojnë, ndërsa përfundimi i procedurave dhe provat e administruara nga SPAK do të përcaktojnë përgjegjësitë eventuale penale të secilit prej të hetuarve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



