E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Agolli i FSHZH-së nuk ka frikë nga  SPAK-u
Lajme

Agolli i FSHZH-së nuk ka frikë nga SPAK-u

Shpall fitues firmën “Fusha” që kishte ofertën më të lartë!

Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka dëshmuar në SPAK mbi procedurat e tenderëve që drejton institucioni.
Fondi shpërndan dhjetëra miliona euro në muaj, por disa tenderë janë të dyshimtë, si rasti i qindra mijëra eurove për menutë e një kuzhinieri dhe ndërtimet e restoranteve në Tiranë dhe Llixhat e Përmetit. Kohët e fundit, Agolli ka shpallur fitues një firmë me ofertën më të lartë, duke skualifikuar të tjerat me çmime më të ulëta, një veprim që sfidon hapur SPAK-un.

Fondi ka në zhvillim edhe disa tendera për ndërtime restorantesh, një në Tiranë dhe tjetri në Llixhat e Përmetit.

Duket se FSHZH-ja është kthyer në një “qokë” për klientët e qeverisë, të cilët fitojnë tendera me lehtësinë më të madhe.

I tillë është edhe tenderi që  po pasqyrojmë.

Duket se Agolli i ka bërë një “sfidë” të hapur SPAK-ut, pasi nga 4 firma në garë, ai ka skualifikuar 3 që kanë ofruar më pak dhe ka shpallur fituese firmën me afertën më të lartë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nën drejtimin e Dritan Agollit, ka shpallur fitues të një tenderi madhor firmën FUSHA SHPK, të njohur për lidhjet e saj të forta me pushtetin. Tenderi, i cili ka për qëllim ndërhyrje në zona sportive dhe ndërtimin e lodrave për fëmijë në kuadër të projektit “Dua të luaj” – Faza II, ka ngjallur polemika të mëdha për mënyrën se si është shpallur fituesi.

Sipas të dhënave zyrtare, tenderi ka pasur një fond limit prej 590,887,400 lekësh të reja pa TVSH, që përkthehet në rreth 7 milionë euro me TVSH. Pavarësisht këtij fondi të madh, procedura përzgjedhëse ka prodhuar një fitues me një ofertë prej 530,987,260 lekësh të reja pa TVSH, që përbën pothuajse 90% të fondit limit. Në vetvete, kjo shifër është e mjaftueshme për të ngritur dyshime, pasi zakonisht tenderat që arrijnë një afrim kaq të ngushtë me fondin limit lënë vend për dyshime mbi paracaktimin e fituesit.

Por skandali nuk përfundon këtu. Në garën për këtë tender morën pjesë gjithsej katër kompani. Tre prej tyre ofruan vlera më të ulëta se kompania FUSHA SHPK, por të gjitha u skualifikuan, duke i hapur rrugën shpalljes fituese të ofertës më të lartë. Ky fakt është një tjetër element që ngjall dyshime mbi drejtësinë dhe transparencën e procesit, pasi një nga parimet kryesore të konkurrencës në tendera publikë është shpallja fitues e ofertës më të favorshme ekonomikisht. Në këtë rast, duket se ky parim është injoruar plotësisht.

Fituesi i shpallur, FUSHA SHPK, është një emër i njohur në projektet e mëdha publike, shpesh i lidhur me përfitime të majme nga fondet shtetërore. Prania e kësaj kompanie si fituese, edhe pse me ofertën më të lartë, forcon dyshimet për një skemë paracaktimi dhe favorizimi. Këto dyshime shtohen nga fakti që drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, është akuzuar vazhdimisht për përfshirje në tendera abuzivë dhe manipulime të ngjashme.

Pavarësisht denoncimeve të shumta, Dritan Agolli vijon të veprojë i paprekur nga drejtësia, duke treguar një imunitet të çuditshëm ndaj ndjekjeve penale nga SPAK. Në vend që të hetohet dhe të ndalohet për keqmenaxhimin dhe dyshimet për korrupsion, Agolli duket se po vazhdon pa pengesa të kanalizojë fondet publike në duart e oligarkëve si Shkëlqim Fusha.

Rasti aktual nuk është thjesht një çështje administrative; ai është një pasqyrë e gjendjes së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Heshtja e SPAK përballë akteve të tilla vetëm sa thellon mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore. Për më tepër, shpallja e një kompanie që ka ofruar çmimin më të lartë si fituese, kur të tjerët kishin paraqitur oferta më të ulëta, është një shembull i hapur i një sistemi të manipulimit, ku interesi publik vihet nën hijen e përfitimeve private.

A do të reagojë më në fund SPAK për të ndalur këtë spirale korrupsioni, apo rasti do të mbetet edhe një herë i heshtur? Fati i këtij tenderi dhe hetimi i tij do të jenë një provë e fortë për integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe përkushtimin e tyre për të ndaluar abuzimin me paratë e shqiptarëve.

“Me anë të këtij formulari, ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë operatorët ekonomikë me vlerat përkatëse si më poshtë. ‘FUSHA’ me një vlerë 530.987.260 lekë pa TVSH.

‘ZDRAVA’ & ‘ERAL CONSTRUCTION’ & ‘BESTA’ mevlerë 414.993.101 lekë pa tvsh, e skualifikuar. BOE ‘INERTI’ & ‘ED KONSTRUKSION’ me vlerë 401.031.655 lekë pa tvsh, skualifikuar.

Oferta e ‘BE – IS’ me vlerë 530.091.298 lekë skualifikuar” thuhet në këto dokumente. Pra, nga 4 firma në garë, 3 u skualifikuan dhe oferta më e lartë ajo e firmës “FUSHA” u shpall edhe fituese!

Nga  dokumentacioni,  rezulton se firma e parë e skualifikuar, BOE “Zdrava” etj, u zerua oferta për arsye se ska “përvojë të suksesshme në realizimin e punëve të ngjashme”.

“Punë të ngjashme për një objekt të vetëm në një vlerë jo më të vogël se 50% e vlerës së për llogaritur të kontratës që prokurohet, të realizuar nga operatori ekonomik gjatë pese vitet të fundit nga data e publikimit te njoftimit te kontrates oseb)

Punë të ngjashme deri në një kufi ku vlera monetare totale e punëve të kryera e marrë së bashku gjatë pese viteve të fundit nga data e publikimit te njoftimit te kontrates është në një vlerë jo më të vogël se dyfishi i vlerës limit të kontratës që prokurohet.

Plotësimi i njërit prej dy kushteve të sipërpërmendura e bën ofertën të kualifikueshme” thuhet në këto dokumente.Duket se dokumentet standarte të tenderit janë bërë vetëm e vetëm që firma e “preferuar” të shpallej edhe fituese.

FSHZH shkruan se ishte vendosur kriter i punëve të ngjashme që kontratat duhet të jenë përfunduar brenda pesë viteve të fundit nga data e publikimit të njoftimit të kontratës.

Madhësia e kontratave duhet të përmbushë kërkesën e autoritetit kontraktor, qoftë 50% apo 200% të vlerës së kontratës që prokurohet dhe kontratat duhet të jenë të ngjashme me objektin që prokurohet.

Ndërkohë, firma e dytë e skualifikuar është “INERTI” & “ED KONSTRUKSION”, sërish me të njëjtën arsye, “përvojës së suksesshme në realizimin e punëve të ngjashme”.

Firma e tretë që ofroi më pak ishte “BE – IS”.

Arsyeja e skualifikimit? Sërish s’ka përvojë të suksesshme në realizimin e punëve të ngjashme! Arsyet janë të ngjashme për të tria firmat e skualifikuara, duke hedhur hije të rënda dyshimi se dokumentet i janë përshtatur vetëm një firmë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.