Agron Shehaj: Ermal Beqiri ka në dorë të dhënat e shqiptarëve
Kreu i Partisë “Mundësia”: Ramës po i ngushtohet laku
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër pas arrestimit të biznesmenit Ermal Beqiri në Francë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e të dhënave shtetërore dhe të qytetarëve shqiptarë.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Shehaj thekson se Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me hetimet për çështjen e AKSHI-t, është ndaluar nga autoritetet franceze pas dyshimeve se ka fluturuar mbi një central bërthamor. Sipas tij, gjatë kontrollit i është gjetur edhe një pajisje përgjimi, ndërsa hetimet po shtrihen drejt verifikimit të lidhjeve të mundshme me rrjete spiunazhi.
Shehaj e cilëson ngjarjen si një skandal me përmasa ndërkombëtare, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si janë administruar dhe mbrojtur sistemet sensitive në Shqipëri. Ai rikujton deklarata të mëparshme të Beqirajt në përgjimet e publikuara nga SPAK, ku ky i fundit shprehej se “informacioni është gjithçka”, duke e lidhur këtë me rolin që, sipas tij, biznesmeni ka pasur në menaxhimin e sistemeve kritike shtetërore.
Sipas Shehajt, zhvillimet e fundit hedhin hije të forta dyshimi mbi sigurinë e të dhënave të qytetarëve shqiptarë dhe mënyrën se si janë menaxhuar ato ndër vite. Ai akuzon drejtpërdrejt qeverinë për përgjegjësi politike, duke deklaruar se situata tregon për një dështim serioz institucional.
Reagimi i tij mbyllet me tone të forta politike, duke pretenduar se ngjarja përbën një sinjal të qartë për krizën e besimit ndaj institucioneve dhe drejtimit të vendit.
“Skandal botëror! Ermal Beqiraj, biznesmeni i përfshirë në dosjen e AKSHI-t, ai i cili thoshte në përgjimet e SPAK ‘se informacioni është gjithçka’, njeriu që kontrollonte sistemet më të ndjeshme të shtetit shqiptar, arrestohet në Francë pasi fluturoi mbi një central bërthamor. Autoritetet franceze i gjetën pajisje përgjimi dhe hedhin dyshime se ai i përket një rrjeti spiunazhi. E kuptoni në dorë të kujt i kemi lënë të dhënat? E kuptoni kush e ka në dorë Shqipërinë dhe shtetasit shqiptarë? Rama po i ngushtohet laku, i erdhi fundi!”, shkruan Shehaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



